Futboll

Drita e mbyll kampionatin me fitore

Me fitore ndaj Besës së Pejës, Drita e ka mbyllur pjesën e rregullt të kampionatit, por për ekipin bardh e kaltër nga Gjilani do të ketë edhe një ndeshje, ajo e barazhit që është më e rëndësishmja dhe që ka domethënien e mbetjes në Superligën e Kosovës në Futboll.

Me dy gola të shënuar një në pjesën e parë dhe tjetrin në të dytën, Drita e udhëhequr nga trajneri Milaim Zuzaku ka shënuar një fitore të sigurt, që jep shpresë që me fitore do të vazhdohet edhe në barazh.

Fillimisht në minutën 23 Gashi ka shpërthyer nga e majta dhe ka harkuar në brendi, kurse më së larti është shkëputur Semir Zeneli, që me kokë e ka futur topin në rrjetë.

Në pjesëlojën e dytë, në minutën 53, Drita ka organizuar një kundërsulm të shpejtë dhe kur u fut në brendi Sejdiu është rrëzuar, kurse gjyqtari dha penalti. Leotrim Kryeziu mori përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e bardhë dhe topin e dërgoi në njërën anë e portierin në anën tjetër, për rezultatin përfundimtar 2:0.

You Might Also Like