Futboll

Drita edhe një fitore – prinë bindshëm në tabelë

Me një fitore e një barazim në stinorin pranveror, FC Drita ka hyrë e motivuar në ndeshjen ndaj Suharekës, aq më tepër që ditën e djeshme Ballkani kishte bërë një lëshim që duhej shfrytëzuar.

Në minutën 23, pas një tollovie në brendi të zonës, Nukiq shkeli në këmbë Dabiqajn e gjyqtari tregoi në pikën e bardhë vetëm pas rasti është rishikuar në sistemin VAR. Përgjegjësinë si gjithherë e mori Besnik Krasniqi, I cili dërgoi portierin Ozdogan në anën e djathtë e topin në mes, për epërsinë 1:0 për Dritën.

Në minutën 40, Ovuka harkoi nga majta e topi shkoi asisoj që u përplas për shtylle dhe për pak të futej në rrjetë. Në minutën e fundit, gjyqtari edhe njëherë u konsultua me VAR-in pas një ndërhyrje kontestuese ndaj Ajzerajt në brendi, por kësaj radhe nuk dha penalti, andaj pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1:0.

Në minutën 52, pas një kundërsulmi të shpejtë, Salifu kaloi edhe portierin dhe nuk u tregua vetjak, por shërbeu Tushën, i cili nuk shënoi në portën e zbraztë, kjo për pak sa nuk iu hakmor Dritës ngase në aksionin vijues, pas harkimit të Maliqit, Zeka gjuajti me kokë duke qëlluar këndin e portës, mirëpo mu aty u hodh portieri Maloku, i cili shpëtoi gol të sigurtë. Në minutën 58 Tusha rrezikoi nga largësia, por portieri mysafir priti gjuajtjen e tij. Ron Broja ka shënuar një supergol nga largësia, kur pas një tollovia topi është kthyer tek ai, që me një gjuajtje të fuqishme qëlloi këndin e epërm të majtë të portës mysafire për 2:0.

Deri në fund të ndeshjes Drita diti të ruaj epërsinë dhe me këtë fitore shtoi epërsinë ndaj përcjellësit të parë në dhjetë pikë. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like