Drita – Trepça ’89 3:1
Shënues: Muharrem Jashari 7’, Besnik Krasniqi 51’ (nga pika e bardhë), Ardit Tahiri – Muja 90+2
Muharrem Jashari lojtar i Dritës kishte premtuar se nëse shënon ndaj Trepçës ’89 nuk do të festojë dhe pikërisht këtë e bëri në minutën e shtatë të ndeshjes kur shënoi për 1:0, pas asistimit që atij ia kishte bërë besnik Krasniqi.
Ndeshja ndërmjet rivalëve të vjetër ishte shumë e hapur, me shumë raste nga të dy anët, pati qëllim të tërthorëses nga ana e lojtarëve të Trepçës ’89, pati edhe shumë raste, por pjesëloja e parë përfundoi me rezultat 1:0.
Në pjesëlojën e dytë loja ishte e ngjashme dhe që në nismë në minutën 51, pati një rast kontestues për penalti për Dritën, por gjyqtari Jahmuarataj dha shenjë se loja mund të vazhdojë e në anën tjetër, Muja ia doli që të shënojë për Trepçën ’89. Mirëpo, festa e minatorëve u prish kur VAR ftoi gjyqtarin që të shikoj rastin e mëhershëm kontestues të penaltisë dhe pas rishikimit, gjyqtari anuloi golin dhe dha penalti për Dritën. Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Besnik Krasniqi, ndonëse gjuajtjen e tij me këmbë e priti portieri i Trepçës ’89, Prince, por që topi nga këmba e tij u fut në mes të portës për rezultatin 2:0 për Dritën.
Të dy ekipet kanë vazhduar me lojë të hapur e me raste të mira shënimi, por pas një mosmarrëveshje në mes të Gashit dhe portierit Prince, Ardit Tahiri u përvodh dhe shënoi në portën e zbraztë për 3:0. Në minutën e dytë shtesë, Christian Mba i Trepçës ’89, me veprim vetjak kaloi tërë mbrojtjen e Dritës, kaloi edhe portierin dhe në fund nuk u tregua vetjak, por shërbeu Ardian Mujën, që e futi topin në portën e zbraztë për rezultatin përfundimtar 3:1.