Gjilani dhe Drita, që këtë fundjavë kishin përballje me Ferizajn, respektivisht Feroniklin ’74, lirisht mund të thuhet se kanë dështuar, ngase Gjilani humbi në fushë të vet (1:2), derisa Drita nuk arriti që të marrë më shumë se një pikë ndaj të fundit në tabelë, Feroniklit ’74, I cili sivjet ende nuk ka shijuar fitore.
SC Gjilani, pas një ecurie jo të mirë u duk se në xhirot e fundit kishte marrë ritmin, duke shënuar fitore në fushë të vet e duke barazuar me Dritën, por sikur pushimi dyjavor nuk I ka bërë mirë, ngase ndaj Ferizajt ka zhvilluar ndeshjen më të dobët në këtë stinorë, duke pranuar dy gola që në pjesën e parë dhe duke u ndëshkuar me dy kartonë të kuq në pjesën e dytë. U duk se Gjilani kishte një orar më të përshtatshëm, ngase edhe ndeshjen e radhës do ta zhvillojë si vendas ndaj Llapit, por tashti I duhet shumë punë për të rikuperuar pikët e humbura gjatë raundit të parë, ngase 9 pikë në po aq ndeshje janë shumë pak pikë për ekipin kuq e bardhë që në fillim të kampionatit dukej se dalja në Evropë ishte minimumi për këtë skuadër.
Drita, që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara, me dy fitore eventuale do të del në kreun e tabelës, por fitorja e pritur ndaj Feroniklit ’74 do të mundësonte që më lehtë do të mund të arrihej ky qëllim. Ekipin bardh e kaltër si duket po e përcjellë situata e njëjtë sikur gjatë viteve të kaluara, kur para vetit shkelte ekipet e mëdha, por që në momentet vendimtare dështonte ndaj ekipe të ashtuquajtura të vogla, të cilat rëndom i merrnin pikë.
Raundi I parë gati se ka përfunduar e dy ekipet gjilanase nëse duan që t’i arrijnë qëllimet e veta duhet të mobilizohen, ngase megjithëse ka shumë ndeshje deri në fund të kampionatit nuk ka kohë e vend për komoditet, sepse pranvera futbollistike në Kosovë gjithnjë ka ditur të jetë e nxehtë./kryelajmi.com/.