Gjilani dhe Prishtina do të përballen këtë të hënë në Finalen e Kupës së Kosovës në Futboll, ndeshje kjo që do të luhet këtë të hënë me fillim në ora 18 në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Gjilani, që tashme e ka të sigurt pjesëmarrjen në Europa Conference League do të përballet me Prishtinën që doli e pesta në kampionat dhe e cila nuk është licencuar për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare, shkruan kryelajmi.com.
Në kampionatin 2022/2023, Gjilani e Prishtina janë përballuar katër herë dhe është interesant se asnjëherë nuk pati fitues. Në ndeshjen e parë të luajtur më 11 shtator 2022, Gjilani e Prishtina kanë luajtur baras me rezultat 1:1. Gjilani kishte shënuar në pjesë të parë nëpërmjet brazilianit Elton Calé, derisa në pjesë të dytë kishte barazuar Kreshnik Uka, që kishte shënuar nga pika e bardhë. Edhe ndeshja e dytë në mes të këtyre dy ekipeve ka përfunduar me rezultat të barabartë, megjithëse në “Fadil Vokrri”, Prishtina dy herë ishte në epërsi, por në fund ndeshje u mbyll baras 2:2 (Arlind Shabani 43, Albin Prapashtica 63 – Albert Dabiqaj 58, 74). Më 9 mars të këtij viti, Gjilani e Prishtina luajtën në Gjilan dhe sërish nuk pati fitues, ngase asnjëra nga ekipet nuk ia doli të shënojë dhe ndeshja u mbyll pa gola 0:0 e gola nuk pati as në ndeshjen e 7 majit të këtij viti, që u luajt në Prishtinë.
Në katër ndeshje këto dy ekipe luajtën baras, por në finalen e Kupës një mundësi e tillë nuk ekziston, ngase në rast të barazimit eventual do të luhen vazhdimet e nëse edhe atëherë nuk ka fitues do të ekzekutohen penaltitë./kryelajmi.com/.