Lajme të mira vijnë nga SC Gjilani.
Gjendja e futbollistit të këtij ekipi, Oltion Bilalli, po normalizohet gradualisht.
Burime brenda klubit gjilanas njoftojnë se sot futbollistit kosovar i është kthyer vetëdija e plotë dhe se ai i ka njohur ata që i kishte afër, duke shfaqur stabilitet, shkruan “Gazeta Express”.
Bilalli u lëndua në xhiron e fundit pas një dueli në ajër me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli duke përfunduar në tokë pa ndjenja, për t’u transferuar më pas me autoambulancë në spitalin e Gjilanit e prej aty në QKUK në Prishtinë.
Nën përkujdesjen intensive të mjekëve, futbollisti kosovar fatmirësisht ia doli mbanë dhe e përballoi me sukses gjakderdhjen e brendshme që e kishte në kokë.
Atij i uruan shërim të shpejtë futbollistët, por edhe sportistët në përgjithësi, klubet dhe figurat e njohura në Kosovë.
Shpresojmë që sa më shpejt Bilalli ta marrë veten dhe në një të ardhme të afër t’i kthehet edhe futbollit, pasionit të tij të madh. /Gazeta Express