Prishtina ka arritur fitoren e parë në Superligë pas 2 muaj e 2 ditëve, ndërsa sulmuesi Jalen Blesa ka qenë njeriu që i ka dhënë nismë të mbarë trajnerit të ri të ekipit bardhekaltër, Emmanuel Egbo.
Prishtina ka mposhtur me shumë mund Gjilanin 2-1 [Jalen Blesa 42’, 90+5 – Redon Ismaili 80’] ndërsa ndeshja veçanërisht në pjesë të parë nuk kishte edhe shumë raste.
Prej minutës së 60 të ndeshjes Gjilani luajti me një lojtar më pak, ndërsa Melos Bajrami mori karton të kuq. Përkundër se me një lojtar më pak Gjilani arriti barazimin me golin e Redon Ismailit dhe ishte shumë afër të fitojë një pikë, por Blesa në kohën shtesë, bëri që Prishtina t’i merr tre pikët e plota për herë të parë që prej 26 gushtit në Superligë.
Fitorja, bën që Prishtina të mbetet në pozitën e katërt me 16 pikë nga 11 ndeshje, ndërsa Gjilani mbetet në 11 pikë nga po aq ndeshje, pasi që regjistroi humbjen e gjashtë sezonale.