Gjilan

Gjilani mbetet shembull i mirë sa i përket sigurisë, por brengosin ndezjet e pyjeve

Gjilan, 11 prill / Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në Gjilan, në takimin e fundit, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, por është shprehur i brengosur ndaj fenomenit të zjarreve, të cilat duket se janë të qëllimshme në numrin më të madh të rasteve. Njëherësh, KKSB ka kërkuar nga qytetarët që të jenë më aktivë, si në lajmërimin e rasteve, ashtu edhe në bashkëpunim me mekanizmat përgjegjës, në mënyrë që pyjet dhe pasuria tjetër shoqërore e private të mbrohen nga shkatërrimi.

Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se rasti më i ndjeshëm që ka ndodhur në dy muajt e fundit, ka qenë aksidenti tragjik që shkaktoi kamioni, ku humbi jetën edhe një qytetar dhe humanist i këtij qyteti. Në aspektin e sanimit të gjendjes, reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe është arritur që normaliteti në qytet të kthehet shumë shpejt, ka thënë ai.

Ramushi ka thënë se një brengë e madhe për policinë, kohëve të fundit kanë qenë zjarret, të cilat, ka dyshime se po shkaktohen me qëllim, për të siguruar pastaj më lehtë lejen për prerjen e pyjeve. Brengë tjetër për policinë janë tentim vetëvrasjet, përdorimi i narkotikëve, grabitjet dhe dukuri të tjera, ka thënë ai, duke shtuar se është arritur të identifikohen dhe arrestohen tre persona, të cilët kanë qenë të përfshirë në dy raste të grabitjeve.

Sa iu përket kazinove, Ramushi tha se policia ka reaguar menjëherë në zbatimin e urdhëresës për mbylljen e këtyre lokaleve, ndërkohë që është duke pritur një urdhëresë tjetër nga niveli qendror edhe për bastoret sportive dhe pret që siguria do të rritet edhe më tepër me eliminimin e këtyre pikave problematike.

Kurse sa i përket zjarreve, Sami Spahiu, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë se gjatë tre muajve të fundit janë evidentuar 62 raste, 32 prej tyre në male dhe 30 të tjerë në fusha. Ai u

shpreh i shqetësuar sa i përket reagimit të qytetarëve ndaj zjarreve, duke thënë se bashkëpunimi i tyre me zjarrfikësit në shuarjen e flakëve, nuk ka qenë i mirë.

“Nëse vazhdohet në këtë mënyrë me ndezjen e maleve, që në të shumtën e rasteve dyshohet të jenë të qëllimshme, atëherë rrezikojmë që pas tri viteve të mbetemi pa pyje”, ka thënë Spahiu.

Përndryshe, thirrje për kujdes nga zjarret është bërë edhe nëpër xhamitë e qytetit, ka thënë përfaqësuesi i Bashkësisë Islame, Agim Hyseni, i cili njëherësh e ka përshëndetur mbylljen e kazinove, të cilat, sipas tij, janë burim i shumë punëve të liga.

Halit Rexhepi, kryesues i KKSB-së, ka thënë se kjo gjendje, ku gatishmëria e popullatës për bashkëpunim me mekanizmat komunalë për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve, është e vogël, imponon nevojën e organizimit të takimeve dhe bisedave me qytetarë, me qëllim të vetëdijesimit të tyre për dëmet dhe pasojat që shkaktojnë zjarret e pakontrolluara si dhe për të rritur përgjegjësinë reaguese ndaj dukurive të tilla.

Po ashtu, një mundësi tjetër për të rritur kapacitet reaguese, është edhe formimi i ekipeve vullnetare të zjarrfikësve, ka thënë ai.

Ndërkaq, sa i përket gjendjes së sigurisë, Rexhepi ka thënë se në këtë drejtim, Gjilani dallon për të mirë prej komunave tjera dhe ka kërkuar që bashkëpunimi me policinë të jetë sa më i ngushtë, në mënyrë që të ruhet kjo qetësi e përgjithshme dhe të ngushtohen sa më shumë hapësirat për shfaqjen e dukurive negative.

You Might Also Like