Gjilan, 25 mars 2020 – Në vazhdën e takimeve të vazhdueshme me regjionin e Anamoravës, sot, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, bashkë me Drejtorin për Shëndetësi, Selami Xhemaili, kanë vizituar Komunën e Ranillugut dhe i kanë dhënë mbështetje me masat mbrojtëse për shërbimet emergjente që jepen për qytetarët në këtë komunë.
Nënkryetari Ismajli ka thënë se në takim me kryetarin Vladica Aritonović, kemi konfirmuar angazhimin maksimal për ta tejkaluar këtë gjendje me ballafaqim të përbashkët si regjion i Anamoravës.
“Pas përkrahjes për Komunën e Vitisë dhe Parteshit, ne po i ofrojmë mbështetjen me material mbrojtës edhe Komunës së Ranillugut, një mbështetje kjo simbolike, për të konfirmuar se jemi së bashku në tejkalim të gjendjes. Kryetarit Aritonović, i theksova faktin, se kryetari Haziri, si autorizues regjional i komunave të Anamoravës, për menaxhim dhe vlerësim të situatës me Koronavirus, do të punojë fuqishëm në marrjen e vendimeve të përbashkëta për menaxhim të çdo lloj situate të papritur. Vazhdojmë të jemi në mbështetje të përbashkët për ta luftuar armikun e padukshëm, të cilit ende nuk po i dihet jetëgjatësia e veprimit të tij”, ka thënë ai mes tjerash.
Komuna e Gjilanit këtë pandemi e ka marrë me seriozitet maksimal duke mobilizuar të gjitha institucionet dhe në këtë rast edhe gjitha komunat e regjionit të Anamoravës.