Gjilan, 13 mars 2018 – Komuna e Gjilanit ka nisur sot workshop-in dyditor me temën “Riorganizimi i administratës dhe shërbimit civil”, duke marrë pikëpamjet dhe rekomandimet e drejtorëve, ish drejtorëve, udhëheqësve të njësive, shoqërisë civile, shefave të grupeve të Kuvendit dhe mekanizmave ndërkomunal.
Gjatë takimit të parë sot me drejtorët, ish drejtorët e drejtorive komunale dhe udhëheqësit e Njësive, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, u ka bërë thirrje edhe njëherë qytetarëve që t’i dërgojnë propozimet e tyre për riorganizimin e administratës e shërbimit civil, në të mirë të funksionimit të më të mirë të të gjitha sektoreve, në shërbim të qytetarëve.
“Në janar e kam dhënë qëndrimin tim që synoj një qeverisje gjithëpërfshirëve në Gjilan. Ndërkaq, tani është koha që t’i marrim pikëpamjet e të gjithëve, pa dallime politike, për ta riorganizuar administratën dhe që ta ndërtojmë një qeverisje dinamike në realizim të programeve madhore për Komunën. I ftoj edhe qytetarët që t’i dërgojnë propozimet e tyre në këtë aspekt gjatë ditëve në vazhdim që ta rrumbullakësojmë këtë proces të rëndësishëm”, ka thënë Haziri.
Të mërkurën, në takime të ndara, kreu i Gjilanit do të vazhdoj t’i marrë propozimet e shoqërisë civile, shefave të grupeve në Kuvendin Komunal dhe anëtarët e mekanizmave ndërkomunal, për të dalë me një konluzion në mbrëmje.