Gjilan, 21 dhjetor 2018 – Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me këshillin e fshatit Livoç i Ulët, ka bërë sot përurimin e bustit të Islam Islamit, një atdhetar i cili kishte vuajtur jashtëzakonisht shumë nga dhuna dhe torturat nga sistemi i viteve të ’50-ta.
Në këtë ceremoni simbolike në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, ka marrë pjesë nënkryetari, Arbër Ismajli, i cili ka thënë se personaliteti i Islam Islamit ishte i veçantë dhe si i tillë ai i bënë nder, jo vetëm fshatit, por gjithë Komunës së Gjilanit.
“Emrin e rrugës tani e tutje do ta nderojë edhe prezenca në bust e luftëtarit të lirisë, Islam Islami. Kjo tregon që rezistenca e popullit shqiptar i ka rrënjët shumë herët në luftën për çlirim të vendit. Vuajtjet dhe torturat e popullit shqiptar ishin jashtëzakonisht të rënda dhe për këtë të gjallët duhet të jenë krenarë dhe njëkohësisht janë borxhlinj që të punojnë edhe më shumë për zhvillimin dhe ecjen e madhe përpara të vendit tonë”, ka thënë nënkryetari, Arbër Ismajli.
Fahrush Sadiku, nga ky fshat ka folur rreth persekutimit dhe dhunës që sistemi serb ka ushtruar mbi trupin e Islam Islamit, të cilin siç ka thënë ai, në vitin 1951 nga dhuna e ushtruar dhe torturat e kishin hedhur në gropën e gëlqerses duke menduar se tashmë kishte ndërruar jetë.
Ndërsa, siç ka rrëfyer ai, Islami kishte qëndruar dhe pas disa muaj e kishte marrë veten dhe mes tjerash kishte thënë se ‘Amaneti më i madh për brezat e ardhshëm është vazhdimi i rrugës për liri’, ka thënë ai.