Gjilan

Haziri: Viti 2021 në Gjilan do të jetë vit i Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla

Gjilan, 5 janar 2021 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se viti 2021 i dedikohet heronjve të kombit, Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla.

Ai ka bërë të ditur se më 15 qershor në Gjilan do të vendoset shtatorja e heroit të kombit, Kadri Zeka.

“2021-ta është vit i Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, Jusufit e Bardhoshit. Ne planifikojmë që me 15 qershor të zbres në bronz njëri nga kryengritësit më të mëdhenj për lirinë e shqiptarëve, heroi Kadri Zeka për t’i bërë roje lirisë sonë”, ka thënë Haziri, në konferencën e parë për media të vitit 2021.

Duke folur për përgatitjet për manifestimin kulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, tha se fatkeqësisht sivjet ky manifestim do të zhvillohet në përputhje me rregullat e pandemisë, me numër të kufizuar të pjesëmarrësve.

“Flaka e Janarit” për 30 vjet ka qenë sinonim i respektimit të veprave të dëshmorëve e heronjve, të cilët vendit i dhanë gjakun me sakrificë, dijen e mbështetjen e tyre për këto ditë të bardha të lirisë. Ky është muaj muaji i Skëderbeut, Ibrahim Rugovës, Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Reshat Ymerit e shumë burrave e grave që vendit i dhanë më të shtrenjtën”, ka thënë ai.

“Ky manifestim mbarëkombëtar do të mbahet në kushte pandemie. Nuk mund ta realizojmë ndryshe. Me të gjitha kapacitetet komunale e qendrore do ta realizojmë në mënyrën më të mirë, në mënyrë që të sjellim para audiencës në Gjilan veprat më të mira artistike e kulturore. Faleminderit të gjithë atyre që kanë dhënë shumë për këto 30 vjet për “Flakën e Janarit, në veçanti themeluesit, Hasan Bunjakun e Sabit Rrustemin. Jam i lumtur që tashmë Ministria e Kulturës e ka futur këtë manifestim në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore”, shtoi Haziri.

Kreu i Gjilanit ka pohuar se të gjithë drejtorët komunalë e përgjegjësitë e zyrave janë autorizuar që t’i realizojnë me dinamikë planet e punës për 3 mujorin e parë, për të vazhduar investimet publike sipas ligjeve në fuqi.

Në këtë konferencë për media ka folur edhe drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Deniza Limanai, e cila ka bërë të ditur se gjithçka po shkon në mënyrën më të mirë, në mënyrë që ky 30-vjetor të themelimit të “Flakës…” të jetë sa më madhështor.

You Might Also Like