Me rastin e festës së Kurban Bajramit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ka vizituar sot Bashkësinë Islame në Gjilan, ku është pritur nga kryetari, Naim Aliu dhe kryesia e BI-së.
Kryetari Haziri ka uruar kreun i BI-së në Gjilan dhe të gjithë besimtarët myslimanë, duke thënë se Kurban Bajrami është festë e sakrificës së madhe.
“Kryetarit të Bashkësisë Islame, imamëve të xhamive dhe të gjithë besimtarëve, i uroj festën e Kurban Bajramit, e cila është festë e sakrificës së madhe, që duhet ta kemi çdo ditë shembull të përkujtimit dhe solidaritetit me çdo qytetar që ka nevojë për mbështetje institucionale, për mbështetjen e Bashkësisë Islame”, tha Haziri.
Kreu i Gjilanit ka uruar haxhilerët që ta përfundojnë misionin në mënyrën më të mirë dhe të kthehen në familjet e tyre shëndosh e mirë.
“Në emër të Zotit dhe në emër të bamirësisë, gjithmonë duhet ta japim mesazhin e mëshirimit dhe lutjes së madhe që Zoti të na falë dhe të pranojë lutjet tona, në veçanti në këtë ditë të shënuar. Uroj që haxhilerët tanë ta përfundojnë misionin dhe Zoti t’ua pranojë këtë rrugë të shenjtë. Uroj që të kthehen pran familjeve dhe në qytetin tonë shëndosh e mirë”, u shpreh kryetari Lutfi Haziri.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, pasi ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën, ka uruar që në këtë ditë të mbretëroj paqja, solidaritetit, lumturia dhe harmonia në familjet gjilanase.
”Lusim Zotin që ashtu siç jemi nëpër festa së bashku, të jemi bashkëpjesëmarrës edhe në punë të mira e të hajrit”, ka thënë Aliu.