Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025, i pari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit.
Kryetari i komunës, tha se me fillimin e vitit të ri shkollor, janë të përkushtuar të ofrojnë një mjedis arsimor cilësor për të gjithë nxënësit tanë.
“Gjatë këtij viti, kemi investuar në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe kemi organizuar trajnime të reja për mësimdhënësit, për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe të mësimnxënies”, tha Hyseni.
I pari i komunës më tej shtoi se po ashtu, kanë shtuar fokusin në arsimin dual, i cili u ofron të rinjve mundësi për t’u përgatitur për tregun e punës në mënyrë praktike dhe profesionale.
“Arsimi mbetet shtylla kryesore për formimin e brezave të rinj dhe përgatitjen e tyre për sfidat e së ardhmes”, tha kryetari Hyseni.