Kanë vazhduar aktivitetet për shënimin e Ditës së Gruas-8 marsin në Komunēn e Gjilanit.
Kryetari Alban Hyseni, tha se në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave, nderuan 23 gra të jashtëzakonshme që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të çmuar në zhvillimin e komunës tonë. Tre nga këto mirënjohje u ndanë post mortem, në shenjë respekti për gratë që lanë një trashëgimi të vyer për shoqërinë tonë.
Sipas tij, 8 marsi nuk është vetëm një ditë simbolike, por një moment reflektimi dhe vlerësimi për të gjitha gratë që me përkushtim, guxim dhe vizion kanë ndikuar në formësimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.
“Sot, përveç nderimit për të gjitha gratë që kanë lënë gjurmë në historinë tonë, riafirmojmë përkushtimin tonë për të mbështetur fuqizimin e grave në çdo sferë të jetës”, tha Alban Hyseni.
I pari i Komunës së Gjilanit, theksoi se simboli Heroina, i vendosur në qendër të qytetit, përfaqëson të gjitha nënat shqiptare dhe sakrificën e tyre për brezat e ardhshëm.
“Besoj se sot, si shoqëri, po ecim përpara jo vetëm për drejtësi e barazi, por për të garantuar suksesin dhe fuqizimin e grave në çdo fushë”, tha kryetari Hyseni.