Futboll

Inter Club d’Escalades nuk ka shumë njohuri për Dritën

Te kampioni i Andorrës, Inter Club d’Escalades, e kanë parasysh se shkuarja në Nyon të Zvicrës për turneun preliminar të Championsit nuk do të jetë udhëtim pushimi, por një udhëtim me synime të mëdha.

Pasi shkroi historinë me titullin e kampionit, trajneri i klubit nga Andorra, Adolfo Baines Pilart, synon historinë edhe në garat evropiane. Ai dëshiron që Interi të fitojë turneun preliminar të Ligës së Kampionëve që do të mbahet në Nyon të Zvicrës muajin e ardhshëm.

Në ndeshjen e parë, Interi në gjysmëfinale do të përballet me kampionen e Kosovës, Dritën. Përderisa për Dritën kjo është hera e dytë në këtë turne, Interi do të paraqitet për herë të parë.

Në një intervistë për KOHËN, trajneri spanjoll i Interit, Pilart, tha se nuk ka shumë njohuri për Dritën, të cilën e vlerësoi si favorite në letër. Mirëpo, ai insistoi se futbollistët e Interit do të luftojnë për ta tejkaluar këtë pengesë dhe pastaj do të tentojnë edhe ta fitojnë turneun për t’u kualifikuar në raundin e parë eliminator të Championsit.

Ndeshja mes Dritës dhe Interit do të zhvillohet më 8 gusht dhe fituesi i kësaj ndeshjeje do të luajë në finalen e turneut preliminar me fituesin e duelit tjetër gjysmëfinal Tre Fiori (San Marino) – Linfield (Irlandë V).

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, pa asnjë dyshim. Në nivelin ndërkombëtar, Drita ka më shumë përvojë se ne, kështu që duhet të jemi të përgatitur mentalisht për ta tejkaluar këtë disavantazh. E kemi parasysh që jemi ekip modest dhe jemi nga një shtet i vogël, por kemi shumë entuziazëm dhe në futboll gjithçka është e mundur. Drita është favorite, por ne nuk do të dorëzohemi për shkak se mund të befasojmë”, është shprehur Pilart.

“Jo, nuk kam njohuri për shkak se nuk kam pasur shumë kohë për të analizuar Dritën. Liga jonë sapo ka përfunduar dhe isha i fokusuar për të siguruar vendin e parë. Gjatë kësaj jave do të ulem për t’i shikuar ndeshjet e Dritës dhe të kuptoj nivelin e saj edhe pse bazuar në sezonet e fundit bëhet fjalë për një ekip që lojën e bazon në gjendjen fizike”.

Në fakt, para dy edicionesh Drita në gjysmëfinale të turneut preliminar të Championsit pati eliminuar një ekip tjetër nga Andorra, Santa Coloman, pas vazhdimeve. Mirëpo te Interi insistojnë se nuk duan të jenë Santa Coloma e radhës për Dritën, por skuadër që do t’ia vështirësojnë dukshëm punët. Trajneri Pilart thotë se ekipi i tij do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje dhe se është optimist.

Pilart në krye të ekipit është prej para fillimit të sezonit 2018/19. Qysh në edicionin e tij të parë si trajner e udhëhoqi Interin drejt pozitës së tretë në elitë dhe u shpall trajneri më i mirë për vitin 2019 nga Federata e Futbollit e Andorrës

“Sigurisht që jemi gati. Sot ka gjithnjë e më shumë barazi midis skuadrave të futbollit dhe Liga e Andorrës nuk bën përjashtim. Dëshmi është se pothuajse çdo vit kampionati zgjidhet në ditën e fundit. Ekipet janë mësuar të luajnë finale praktikisht çdo fundjavë dhe kjo na bën të ndjehemi optimistë për të ardhmen e afërt”, është shprehur Pilart./koha.net/.

 

You Might Also Like