KULTURA

Ish- mejtepi i Shipashnicës i shndërruar në minimuze

 

Në  këtë objekt, përkatësisht, në hapësirat e ish- mejtepit gjenden shumë artefakte etnografike dhe disa ekzemplarë librash, të cilat i kishin sjellë banorët e fshatit dhe më gjerë, thotë Ismet Tafili, zyrtar në  Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan.

Shumë eksponate që ruhen nga qytetarët, vendin e kanë në muze e Muzeu i Gjilanit, i paralajmëruar se do të hapet këtë apo atë muaj, ende nuk është i gatshëm për vizitorët. Qytetarët e Rajonit të Anamoravës edhe pa pasur muze e kanë traditë që t’i ruajnë objektet nga trashëgimia e tyre kulturore, kurse Qendra Rajonale për Trashigimi Kulturore në Gjilan, të gjitha këto objekte i ka evidentuar dhe është në dijeni për to.

Ismet Tafili, zyrtar në QRTK, thotë se në kuadër të projektit ”Evidentimi i koleksionueseve privatë”, nga QRTK janë hulumtuar shumë koleksionues në komunën e Dardanës, të cilët kishin ruajtur eksponate etnografike dhe arkeologjike nga më të ndryshmet, e disa kishin krijuar edhe muze të vogla në objekte private dhe publike.

Sipas tij, një përkujdesje dhe interesim, për ruajtjen e traditës, e kanë shfaqur edhe banorët e Shipashnicës së Epërme, duke grumbulluar eksponate të ndryshme dhe duke i vendosur në ish- Mejtepin e fshatit. Ai ka përmendur rastin e Selman Shaqir Dërrmakut, që disa herë kishte grumbulluar mjete materiale për rregullimin e fshatit aty ku ishte nevoja. Në kuadër të kësaj, kishte organizuar grumbullimin e mjeteve materiale edhe për rregullimin e objektit për ruajtjen edhe ekspozimin e vlerave etnografike. Tashti në këtë objekt, përkatësisht, në hapësirat e ish- mejtepit gjenden shumë artefakte etnografike dhe disa ekzemplarë librash, të cilat i kishin sjellë banorët e fshatit dhe më gjerë.

Ne hyrje të objektit të Mejtepit, i cili është pranë xhamisë së fshatit, është vendosur koshi i punuar me mjeshtri me thupra në formë të bistakut. Vegla të punës, enë të ndryshme, vegla bujqësore, vegla për endje etj. gjendeshin në hapësirën e brendshme të mejtepit, jo me një radhitje të rregullt, pasi ende nuk ishte pajisur me inventar të nevojshëm. Në mesin e shumë eksponateve ishte edhe: mokra, e cila ishte rregulluar në atë mënyre, sa që kishte mundësi të bluajë drithin edhe sot me forcën e dorës. Pastaj parmenda, kutulla, korubja, mulli kafeje, gaforrkë për tjerrjen e konopit, dybek, sharrë për prerjen e trupave, luga e ujemit, zgjedha, kaca, tpi, tpi me çark, kutlica e mullirit, shkop tupani, katullaqe, nallane tekerdia, kmesa, pehar për miell, gërryes e lugut të mullirit, turjelë për kavalle, fërtele, zdruktha, kompas druri, sharrë dore, pjekëse e kafesë, verigë, vegla nallbani, aleme, kërhanë për konop, drugëza e vekut, pirajka etj.

Ismet Tafili, thekson se këto dhe evidentime tjera, që është duke i bërë QRTK e Gjilanit, janë në kuadër të projektit të MKRS-së: “Evidentimi i koleksionuesve privat në komunën e Dardanës (Kamenicës)“.

 

You Might Also Like