Një kroat, Aljojza Stepinac e ka sjell i pari topin e futbollit në Gjilan. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin e largët 1922. Ngjarjen se si ka ardhur topi i parë në Gjilan dhe formimin e Klubit të Futbollit Bashkimi e ka rrëfyer ish-futbollisti i njohur gjilanas Jakup Berisha, i cili ka rrëfyer edhe për futbollistët e parë të këtij klubi, shkruan.com
KF Bashkimi 1941
Mbrojtësi i njohur i futbollit gjilanas, Jakup Berisha, në një mbrëmje ku janë mbledhur ish-futbollistë të gjeneratave të arta të futbollit gjilanas, teksa në duar mbante një foto të KF Bashkimit, të themeluar në vitin 1941, ka rrëfyer se si ka nisur rrotullimi i topit në Gjilan.
Berisha, që kujton këto ngjarje, ka thënë se ka zgjedhur një fotografi të verës së vitit 1941, datë 15 gusht. Në foto paraqiteshin një grup i të rinjve që janë tubuar dhe kanë themeluar klubin futbollistik për të parën herë. Arsimtari në pension, Jakup Berisha, ka thënë se këto të dhëna në vitin 1988 ia ka dhënë Babush Tali, ish-futbollist dhe ish-mësues, që ka qenë portier. Nga këta futbollistë, arsimtari Jakup Berisha ka dalluar pos Babush Talit edhe një lojtar nga Shqipëria, Milto Likoka, Nijazi Halimin, mjek nga Livoçi, që ka punuar në Gjilan dhe axhën e tij, Esat Berisha. Është kjo një foto e rrallë, por e vlefshme dhe ka dhënë edhe një detaj, se nga Babush Tali kishte mësuar se topin e parë në Gjilan e ka sjell Aljojza Stepinac, kroat./kryelajmi.com/.