OPINION

Kështu më nuk shkon!

Shkruan: Ismajl Kurteshi

Mbi dy dekada dialog me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, janë dy dekada shantazhe, kërcënime, kushtëzime, mashtrime, ndryshim qëndrimesh, lojë fjalësh e kështu me radhë, që bën Serbia, ndaj Kosovës.
Në anën tjetër, gjatë këtyre dy dekadave, Kosova nën presionin e Evropës, ka bërë kompromise, në favor të Serbisë, që nuk është dashur t’i bënte asnjëherë.
 Gjatë këtyre dy dekadave Evropa e përkëdheli  Serbinë ndërsa mbi Kosovën bëri presione.
  Edhe pas këtyre dy dekadave dialogu, përkëdhelje dhe presione, përafrim të qëndrimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk pati. Nuk ka përmirësim të gjendjes në veriun e Kosovës dhe kudo që mund të ndërhyjë Serbia. Kërkesat e Serbisë nuk kanë fund. Kosova është e shtrënguar t’i jap fund lëshimeve të mëtutjeshme që po e defunksionalizojnë shtetin tonë.
   Edhe në takimin e 14 shtatorit 2023, në Bruksel, në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, u përsërit i njëjti skenar, Vuqiqi e kushtëzoi vazhdimin e dialogut për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, të hartuar nga Gjermania dhe Franca në fillim të këtij viti, me krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe edhe pse marrëveshja, me të cilën ai është pajtuar nuk është kështu siç e kërkon tani Vuqiqi.
Ndërmjetësuesit e BE-së, në këtë takim, si shumë herë të tjera, u bënë krahë i kërkesave të Serbisë edhe pse BE-ja e kishte hartuar projektmarrëveshjen, të cilën Vuqiqi herë po e devijon e herë nuk po e pranon fare.
  Të njëjtit iu bashkuan edhe kërkesës për dorëheqjen e kryetarëve të komunave të veriut, edhe pse kërkesa për dorëheqje nuk është as demokratike dhe as nuk ka bazë ligjore,  por këtë po e bëjnë sepse një gjë të tillë po e kërkon Beogradi zyrtar.
  Tani më është e qartë se organizimet e takimeve të tilla boshe janë të pa dobishme.
Për të lëvizur gjërat diçka duhet ndryshuar.
Përveç ndryshimit të qasjes, Evropa duhet t’i zëvendësojë edhe ndërmjetësuesit aktual,  me ndërmjetësues të tjerë që e kuptojnë se paanshmëria është kusht për ndërmjetësim  të suksesshëm. Ky ndryshim është në dorën e Evropës, e në dobi të të gjitha palëve.
Ismajl Kurteshi, shtator 2023

You Might Also Like