Gjilani gjithmonë është shquar si vatër e volejbollistëve cilësorë. Asnjë sport Gjilanit nuk ka sjellë më shumë tituj se sa volejbolli e për këtë të arritur meritorë janë gjenerata të tëra sportistësh, por pa dyshim se vend meritorë në këto të arritura zë profesori Hafiz Gashi, nën urdhrat e të cilit kanë qenë volejbollistët më të njohur që i njeh Gjilani.
Hafiz Gashi, kishte udhëhequr KF Taftisoni, i cili suksesin më të madh e arriti në vitin 1981 – 1982, kur ky ekip shpallet kampion i Kosovës dhe me plot sukses garon në Ligën e Dytë Federative deri para mëvetësisë të sportit kosovar.
Gjenerata e artë e KV Taftisoni lidhet ngusht me emrin e Hafiz Gashit e ku me plot sukses luajtën Hajrush Fazliu (kapiten e trajner), Muhamet Salihu, Faruk Brestovci, Servet Shala (dëshmor), Namik Qemajlmustafa, Fadil Brestovci e volejbollistë tjerë, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në volejbollin gjilanas, deri në mëvetsimin e volejbollit kosovar, kur ekipi pagëzohet me emrin KV Drita dhe sërish kthen lavdinë e dikurshme, tashti me volejbollistët Bardhyl Ibrahimi (kapiten e trajner), Ramadan Krasniqi, Driton e Arton Bajraliu, Lorik Ilazi, Arben Bislimi e volejbollistë të tjerë të kësaj gjenerate.
Gjithsesi se Hafiz Gashi pati rol të pazëvendësueshëm edhe në zhvillimin e volejbollit femëror, që mbetet ekipi më i trofeshëm në Gjilan. Sidomos duhet veçuar kohërat e vështira kur veprimtaria e vashave në volejbollin e Gjilanit nis më 1982 në Shkollën Fillore “Selami Hallaçi”, kur pedagogët Hajrush Fazliu, Hafiz Gashi e Shaban Kastrati bënë përzgjedhjen e talenteve të reja, të cilat më pas u bënë pjesë e ekipit “Taftisoni”, kurse brenda një periudhe të shkurtër, ky ekip la gjurmë të pashlyeshme në volejbollin femëror, duke u radhitur ndër ekipet më të mira, pikërisht atëherë kur u pagëzua me emrin “Drita” dhe që vazhdon me mbizotërimin në volejbollin kosovar, duke u bërë ekipi i parë kosovar që ka luajtur në Champions League në ndonjë sport.