Kombinatet e dikurshme u shndërruan në qendra tregtare
Vetëm në Gjilan para viteve të nëntëdhjeta pati 13 mijë e 800 të punësuar, pas viteve të nëntëdhjeta rreth 9 mijë punëtorë u larguan nga puna, kurse pas luftës në tërë Anamoravën, që përfshinë komunat Gjilan, Viti e Dardanë në punë u përfshinë 8 mijë punëtorë.
Mijëra njerëz edhe sot mund të vërehen në hapësirën ku dikur ishte Kombinati i Tekstilit “Integj” në Gjilan, por ndryshe nga dikur kur njerëzit aty shkonin për të punuar, tashti ata janë shndërruar në konsumatorë që blejnë mallra në qendrat e mëdha tregtare që janë hapur aty. Dikur Kombinati i Tekstilit “Integj” punësonte mbi 3000 punëtorë që punon në tre turne dhe që prodhimet e tyre pos në ish-Jugosllavi i plasonin edhe deri në Lindjen e Largët, por sot kjo hapësirë është shndërruar në qendra të mëdha tregtare edhe pse një pjesë e ish-kombinatit vazhdon të merret me prodhim, kryesisht me penj tekstili, tepihë e prodhime të tjera. Mijëra punëtorë të tjerë ishin të punësuar edhe në Kombinatin e Duhanit “IDGJ”, në Fabrikën e Metaleve “Çeliku”, Fabrikën e Baterive “IDGJ”, Fabrikën e Radiatorëve “Jugoterm”, në Kombinatin “Morava e Binçës”, Agrokombinatin “Agromorava” e shumë fabrika të tjera që Gjilanin e bënin qytet industrial.
Tashti, kur shumë nga këto ndërmarrje u privatizuan, ato më shumë janë shndërruar në depo, supermarkete, hapësira për ndërtimin e banesave e çka jo tjetër.
Edhe tashti ka të punësuar në këto veprimtari, por numri i të punësuarve në krahasim me dikur është shumë larg, ngase privatizimi la shumë të papunë.
Konsiderohet se vetëm në Gjilan para viteve të nëntëdhjeta pati 13 mijë e 800 të punësuar, pas viteve të nëntëdhjeta rreth 9 mijë punëtorë u larguan nga puna, kurse pas luftës në tërë Anamoravën, që përfshinë komunat Gjilan, Viti e Dardanë në punë u përfshinë 8 mijë punëtorë. Pas privatizimit të ndërmarrjeve 90 përqind e punëtorëve ngelën pa punë. Shumë ndërmarrje u privatizuan nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) e më pas edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), por doli se ky privatizim dështoi gati plotësisht, ngase shumë nga ndërmarrjet asnjëherë nuk e filluan punën./kryelajmi.com/