Gjilan

Kompania Ekolog dhuron 50 tabletë për nxënësit e Gjilanit 

Gjilan, 11 maj 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pranuar sot donacionin nga kompania Ekolog, e cila në këtë fazë pandemie ndihmon Gjilanin me 50 tablet, që dedikohen për nxënësit të cilët janë në kushte të vështira, ata me aftësi të kufizuara, për mësim në distancë.

“Një lajm i gëzuar është mbështetja që ka sjellë kompania Ekolog, me pronarin Milazim Destani, për nxënësit e Gjilanit. 50 tabletë janë mbështetje e madhe për nxënësit tanë të cilët po mësojnë me komunikim në distancë. Falënderoj shumë për solidaritetin e treguar në këtë kohë pandemie dhe njoftojmë se Gjilani është komuna e parë që ka filluar mësimin online dhe po ashtu e para që ka rrjetin e ëireles për territorin tonë, mirëpo, pa mjete e gjithë kjo është kotë”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Haziri tha se ky donacion do t’u dedikohet nxënësve në nevojë dhe kushte të rënda ekonomike dhe sociale si dhe atyre me aftësi të kufizuara, që të jenë të barabartë dhe aktiv në ndjekjen e mësimit në distancë.

Astrit Krasniqi, në emër të kompanisë Ekolog, ka thënë se kjo është një mbështetje me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për fëmijët që të ndjekin mësimin në distancë e që kushtet e tyre janë të vështira.

Ndërsa në fjalën e tij drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka thënë se ky donacion është në kohën e duhur për ta përballuar këtë pengesë për nxënësit që për më shumë se dy muaj kanë ndërprer mësimin.

Ai ka thënë se ditë më parë kanë bërë shpërndarjen e laptopëve që janë dhënë nga kryetari i Komunës dhe kompania Elkos Group, mirëpo me këtë mbështetje që ka dhënë sot Ekolog, do të jetë një barazpeshë në trajtimin e madh të kërkesës për pajisje teknologjike.

You Might Also Like