Gjilan, 14 dhjetor 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me donatorin Avni Haziri pronar i “OrangeNet”, kanë bërë sot inaugurimin e shtëpisë së re për familjen e Rrahim Korçës, e cila ka shtatë anëtarë të familjes.
“Përurimi i shtëpisë bashkon familjen e ndarë për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe sociale. Është shumë vështirë që bashkëshortët me dy fëmijë të jetojnë së bashku e tre të tjerë të ndarë për shkak të mungesës së kulmit mbi kokë. Kjo është një ditë e veçantë për këtë familje dhe për të gjithë ne së bashku”, ka thënë në përurimin e shtëpisë, i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Haziri, poashtu, ka falënderuar donatorët me në krye Avni Haziri nga OrangeNet dhe të gjithë ata që kanë kontribuar që sot kjo shtëpi të strehojë edhe një familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
“Është ditë e madhe kjo që po ndodh për këtë familje dhe për komunën gjithsesi. Kjo është dhurata më e mirë për ta që po vjen në ditën më të shënuar për Republikën e Kosovës, datë në të cilën Ushtria e Kosovës po nis rrugëtimin e saj drejt Forcave të Armatosura”, ka thënë kryetari Haziri.
Kurse, donator Avni Haziri, pronar i OrangeNet, ka thënë se këto shtëpitë që janë duke u ndërtuar në Gjilan, “po bëhen me ftesën e madhe të kryetarit Haziri, i cili vazhdimisht është mbështetës dhe po punon për të krijuar kushte më të mira për të gjithë pa dallime”.
Ai ka falënderuar edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij që e ndihmuan deri në përfundimin e kësaj shtëpie e cila është e kompletuar me të gjitha kushtet që i duhen një familjeje.
Ndërkohë, donatori ka konfirmuar që nga e shtuna do të nis edhe izolimi i jashtëm i kësaj shtëpie.