Gjilan

Komunikatë e PDK për publikun

Partia Demokratike e Kosovës- Dega në Gjilan, përmes konferencës së saj të fundit ka paralajmëruar shpërfaqjet më të detajuara të keqmenaxhimit të vetëdijshëm të kryetarit të komunës z. Hyseni.

Skandali i kryetarit të komunës z. Alban Hysenit, që kontraktoi (bleu) vet kamionin prej 47,919.52 euro pa asnjë procedurë tenderimi, përbën shkelje të rëndë të ligjit të prokurimit, andaj institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë.

Qeverisja e LVV-së në Gjilan ka humbur plotësisht kontrollën, ku ligjet e Republikës së Kosovës nuk respektohen, sistemi i shpenzimit të buxhetit komunal ka rënë nga funksioni dhe nuk dihet më se ku e si po shpenzohet paraja publike e qytetarëve, pra, është krijuar anarki totale institucionale.

Dy vizitat e kryetarit të komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni bashkë me dy drejtorë komunal në Gjermani, janë realizuar për të blerë një kamion për Ndërmarrjen Publike Lokale “TREGU” në vlerë prej 47,919.52 euro. Ky veprim skandaloz i tyre, është i dokumentuar prej fillimit e deri në përfundim. Ndërsa vetëm për një faturë për Gjermani janë paguar 3,151.52 euro, për udhëtim e dreka zyrtare nga buxheti i NPL Tregu. Ndërsa ka edhe mijëra euro tjera shpenzime që janë paguar nga buxheti i komunës.

Partia Demokratike e Kosovës- Dega në Gjilan, i është drejtuar zyrtarisht menaxhmentit të NPL “Tregu” për tu informuar se a janë zhvilluar procedurat e prokurimit, dhe kemi pranuar konfirmimin se kompania e tyre nuk ka zhvilluar asnjë procedurë, përveç që janë ekzekutuar pagesat e faturave që i kanë shkuar nga zyra e kryetarit të komunës.

Poashtu edhe nga Zyra e Prokurimit në Gjilan, është konfirmuar se nuk ka pasur tender të shpallur për blerjen e këtij kamioni.

Pra, procedurat e vetme që janë zhvilluar i ka bërë personalisht kryetari Hyseni dhe sekserët e tij Gjermani. Fillimisht ky kamion është doganuar në emër të Kuvendit Komunal Gjilan, pastaj është kthyer në emër të NPL Tregu, pas konstatimeve për shkelje ligjore e kaos të procedurave.

VV në Gjilan, përveç degradimit të institucioneve komunale edhe Ndërmarrjet Publike Lokale i ka shëndrruar në çerdhe të keqpërdorimeve. Andaj këto veprime janë të dëmshme, të rrezikshme dhe që duhet të merren masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse që e kanë për obligim mbikqyrjen, respektimin e ligjit dhe ndalimin e keqpërdorimeve të mëdha që po ndodhin kudo nga kjo klasë qeverisëse.

Gjithashtu, po edhe në këtë deklaratë publike vlen të ritheksohet që është urgjente shkarkimi i Komisioneve Komunale të Aksionarëve nga Kuvendi Komunal, në të gjitha ndërmarrjet publike lokale, për ti ndalur keqpërdorimet e jashtëzakonshme që po ndodhin aktualisht aty.

Sërish ne si parti shtetformuese e institucionaliste, ju bëjmë thirrje të gjithë zyrtarëve komunal dhe atyre në ndërmarrjet publike lokale, që të jenë të kujdesshëm dhe mos të veprojnë sipas urdhërave të individëve, por të zbatojnë të gjitha procedurat ligjore.
Mos lejoni që përmes kërcënimeve, kushtëzimeve e joshjeve që ata u bëjnë të bini pre, sepse para ligjit të gjithë jemi të barabartë.

#BashkëPërGjilanin

You Might Also Like