Te ndryshme

Krerë të AAK-së bashkë me strukturat në Gjermani

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me kryetarin e degës së AAK-së në Gjilan, Nazim Gagicën dhe me bashkëpunëtorë të tjerë, po qëndrojnë në Gjermani, gjegjësisht në Augsburg për nder të festave të nëntorit.

Siç ka theksuar Ilmi Mustafa, veprimtar i palodhshëm i AAK-së, është kënaqësi që në mesin e tyre të kenë kryetarin e Aleancës, Ramush Haradinaj, kryetarin e degës në Gjilan, Nazim Gagica, miqtë e çmuar, Ukë Blakaj e Selim Hoti, në një takim të organizuar për nder të festave të nëntorit në Augsburg të Gjermanisë.

“Kosova ka shumë mundësi të bëhet shtet me zhvillim të madh ekonomik, sepse ka diasporën e fuqishme, e cila pret kushte më të mira e më të përshtatshme në Kosovë për të investuar atje”, ka thënë Ilmi Mustafa, që ka falënderuar kryetarin e degës së AAK-së, Ramush Haradinaj, Nazim Gagica e Lahi Brahimaj për vizitën, mbështetjen dhe kujdesin që po dëshmonjnë për diasporën shqiptare!

Nazim Gagica, kryetar i degës së AAK-së në Gjilan, ka theksuar se bashkë me kryetarin e Aleancës, Ramush Haradinaj, anëtarin e kryesisë, Lahi Brahimaj, kryetarin e Aleancës për Gjermani, Ukë Blakaj, atë për Bavari, Selim Hoti, anëtarin e kryesisë së degës në Gjilan, Ilmi Mustafa, në prag të festave të nëntorit, takuam sot shumë bashkatdhetar në një takim të organizuar në Augsburg të Gjermanisë.

“Sinqerisht, është kënaqësi e madhe kur sheh shqiptarët aq të organizuar e aq shumë të suksesshëm në biznes e në të gjitha sferat e jetës në diasporë. Kur sheh numër aq të madh të tyre, e në atmosferë festive kuq e zi, të japin ndjenjën e të qenit në mes Kosovës.

Faleminderit për mikpritjen dhe respektin motra e vëllezër. Faleminderit për krejt atë çka keni bërë për Kosovën e vazhdoni të bëni në vazhdimësi. Do të jemi krah jush çdo kohë e për gjithçka!”, ka thënë Nazim Gagica.

 

You Might Also Like