Kryetari Alban Hyseni: T’i ruajmë vlerat kombëtare e të kujtojmë historinë dhe sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë tonë
Duke mbajtur vajzat e tij për dore, Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit është ngjitur në skenë për të folur para fëmijëve dhe prindërve të tyre në programin kulturor e artistik për fëmijë, për të shënuar 34- vjetorin e „Flakës së Janarit“.
Kjo ngjarje kulturore është organizuar me përkrahjen e Komunës së Gjilanit, gjegjësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte e ku i pranishëm ishte edhe Kushtrim Zeqiri, drejtor.
I pari i komunës, Alban Hyseni, ka theksuar se ka qenë kjo një ditë e ngjeshur me aktivitete në 34- vjetorin e shënimit të Manifestimit Mbarëkombëtar, që është unik për nga karakteri në të gjitha trojet shqiptare.
Hyseni, tha se brezat që po vijnë tani do të duhej ta përkujtonin e ta shihnin këtë manifestim për çdo ditë në mënyrë që ta mbajnë në kujtesë periudhën nëpër të cilin ka kaluar populli shqiptar.
Andaj pikërisht në këtë ditë i është bërë një vizitë familjes Mala e Berisha, ku u përkujtuan ngjarjet, përjetimet, tha Hyseni, duke kërkuar nga të gjithë së bashku t’i ruajmë këto vlera kombëtare e të kujtojmë historinë dhe sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë tonë.
Edhe nga organizatorët është e programit artistik e kulturor është thënë se kjo është një mundësi për gjeneratën e re të nderojë e kujtojë ngjarje të rëndësishme dhe të shenjta për popullin shqiptar.
“Përmes shkrimeve të ndryshme, si dhe rrëfimeve nga gjyshërit dhe prindërit tanë, kemi mësuar se ky manifestim ka një histori të thellë që lidhet ngushtë me rrugëtimin tonë kombëtar, me sakrificat e atdhetarëve që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Manifestimi “Flaka e Janarit” ka marrë këtë emër pasi në këtë muaj, gjatë historisë ranë heroikisht figura të shquara të kombit shqiptar Skënderbeu, Isa Boletini, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe shumë të tjerë.
Në programin artistik të përgatitur nga fëmijët e grupmishave të ndryshme janë paraqitur: Fëmijët e grupmoshës 5-6 vjeç nga Kopshti “Integj”, të cilët performuan një pikë vallëzimi të titulluar “Me flamur nè zemër”, të përgatitur së bashku me edukatoret e tyre.
Më pas me pikën e recitalit të titulluar “Për ditëlindjen tënde Atdhe” u paraqitën nxënësit Enea Sherifi, Ezana Ibrahimi, Ari Haziri dhe Donika Ademi, nga Shkolla e Mesme e Ulët “Musa Zajmi”, pikë e përgatitur nga mësuesja lliriana Uruqi
Kori nga Shkolla e Muzikës në Gjilan nën dirigjimin e prof. Artan Jerliut interpretuan dy këngë “Komandant” dhe “Fjalët e Qiririt”.
U paraqitën edhe balerinat e mrekullueshme nga Studio e Baletit ALLEGRO, me koreografe Arta Arifi, me piken “Valtz”, pastaj vallen popullore, interpretuan nxënësit e klasës së 7 dhe 8 nga Shkolla e Mesme e Ulët “Don Bosko” me piken e valles të quajtur “Festë të madhe ka sot Shqipnia”, të përgatitur nga nxënësja e kësaj shkolle Aurela Mustafa.