Gjilan – Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi ka pritur një delegacion nga Projekti i Binjakëzimit “Fuqizimi i formulimit të politikave dhe hartimit të legjislacionit”, të kryesuar nga Julie Trappe.
Kryetari Azizi, fillimisht ka prezantuar para delegacionit të arriturat e gjykatës, me theks të veçantë numrin e lëndëve të kryera, që kanë qenë të shenjëstruara për liberalizim të vizave.
Ai ka mirëpritur bashkëpunimin dhe ndihmën, që ky projekt po jep në fushën e legjislacionit në drejtësi dhe në asistencën teknike. Si sfidë ka përmendur rritjen e numrit të bashkëpunëtorëve profesional dhe rritjen e numrit të përkthyesve gjyqësor të gjuhës serbe.
Ekspertët nga ky projekt kanë bërë një analizë Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, në lidhje me Udhëzuesin e BE-së për fuqizimin e të drejtave procedurale të personave të dyshuar ose të akuzuar në procedurën penale.
Këshilltarja Rezidente e Binjakëzimit, Trappe, ka theksuar se rendi ligjor i Kosovës është kryesisht në përputhje me standardet evropiane, por problemet paraqiten në tek zbatimi, andaj në lidhje me këtë është shpërndarë një pyetësor tek gjyqtarët, për të parë se ku qëndrojnë sfidat më të mëdha.
Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.