Gjilan, 14 shkurt 2018 / Dje u nda nga jeta aktori e regjisori i njohur kosovar Nuhi Matoshi. Për nder të tij, nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri, Komuna e Gjilanit ka mbajtur sot një mbledhje komemorative.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se Nuhi Matoshin e bënë të pavdekshëm vepra e tij shumëvjeçare, jo vetëm në këtë skenë, ku e ka filluar karrierën, por edhe në fushat tjera të arit, ku e ka vazhduar punën e tij, duke dhënë një kontribut prej regjisori në Radio Televizionin e Prishtinës dhe duke mbetur i pandashëm me filmin dhe teatrin.
“Kujtimet e tij do t`i mbajmë të gjalla përjetësisht, kurse mësimin e tij prej një njeriu të urtë, prej një familjari të denjë dhe një miku të çmuar, do ta marrin si shembull dhe do ta promovojmë në shoqërinë tonë”, ka thënë Kurteshi-Emini.
Më tutje, ajo ka thënë se ndarjet e tilla janë të hidhura gjithmonë, por zbrazëtinë që ka lënë mungesa fizike e Nuhiut, do ta plotësojë vepra e tij që do të flasë edhe në të ardhmen.
“Familja dhe ne duhet të krenohemi me njeriun që e patëm dhe që jetoi e veproi mes nesh”, ka theksuar kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini.
Në emër të komunitetit artistik, ka folur aktori Sabedin Shahiqi, i cili ka nënvizuar bashkëpunimin me kolegun e tij, që siç ka thënë ai, kishte filluar pikërisht në skenën e teatrit të qytetit në Gjilan, në vitin 1971.
“Nuhiu do të jetë përherë i pranishëm në këtë skenë, në qytet dhe në shoqëri, përmes veprës së tij”, ka thënë Shahiqi
Kurse në emër të familjes, vajza Argjenda Matoshi ka thënë se Nuhiu kishte zgjedhur të bënte rolin e babit dhe të shokut dhe kjo më ka bërë mua që të njihen vajza më me fat në botë.
“Babin tim e deshën të gjithë, sepse ai ishte i dashur për të gjithë”, ka thënë Argjenda.
Me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit e regjisorit, Nuhi Matoshi, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka ngushëlluar familjen dhe komunitetin artistik.
“Me dhembje të madhe e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të regjisorit të mirënjohur kosovar, Nuhi Matoshi. Nuhi Matoshi do mbahet në mend për kontributin e jashtëzakonshëm në sferën e regjisë në RTP, por edhe në projekte të shumta filmike e teatrale, duke kontribuar në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave artistike”, ka thënë Haziri.
Nuhi Matoshi u varros të mërkurën në varrezat e qytetit në Gjilan. Vdekja e tij ka shkaktuar pikëllim te komuniteti artistik dhe artdashës.