Gjilan, 26 gusht / Ciklin e dëgjimeve buxhetore, Komuna e Gjilanit, e ka vazhduar sonte në dy lagje tjera të qytetit, ‘Zabeli’ dhe ‘Arbëria’ ku po ashtu janë dëgjuar dhe evidentuar kërkesat e qytetarëve, të cilat do të përfshihen në listën e prioriteteve për investimet e vitit 2022.
Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se banorët e këtyre lagjeve kanë identifikuar si prioritete hapjen e rrugëve të reja, rregullimin e parkut, një rreth-rrotullim te kryqëzimi i rrugës Gjilan-Preshevë, me pjesën te ish-tregu i kafshëve si dhe nevoja të tjera infrastrukturore të lagjeve.
“Ne i dëgjuam me kujdes kërkesat e banorëve dhe si Komunë do të mundohemi që investimet t`i shpërndajmë në mënyrë të balancuar, në të gjitha lokalitetet, duke iu dhënë përparësi projekteve madhore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe përmirësojnë mirëqenien e tyre” ka thënë Kurteshi-Emini.
Për më tepër, ajo tha se në listën e prioriteteve do të futen projektet e identifikuara bashkërisht me qytetarin, i cili i njeh dhe i ndjen më së miri nevojat e lokalitetit ku jeton.
Përndryshe, cikli i dëgjimeve buxhetore përmbyllet nesër me dy takime tjera, njëri me gra e rini dhe tjetri me komunitete.
Dëgjimet buxhetore organizohen nga Komiteti për Politikë dhe Financa.