Dikur njëri ndër ekipet më të suksesshme në Kosovë, KV Drita në konkurrencën e meshkujve, mëton që të rikthejë namin e dikurshëm, kur ishte ndër ekipet më të organizuara në Kosovë.
Tash së fundi është krijuar një ekip e re, me lojtarë të talentuar, të cilët duket se janë përgatitur mirë dhe shumë shpejt pritet që të luftojnë për kreun e ligës.
Këtë më së miri e ka përjetuar ekipi i KV Drenica, që në xhiron e parë është mposhtur nga Drita me rezultat të pastër 3:0 në sete. Në të tri setet, Drenica është kufizuar në 15 pikë, andaj ndeshja është mbyllur me rezultat 3:0 (25:15, 25:15, 25:15)
Në ekipin e Dritës ka funksionuar gjithçka, që nga shërbimi, që ishte i saktë, blloku, pranimi e sulmi, derisa lojtarët e Skenderajt nuk kishin zgjidhje për lojën e Dritës, e cila ishte tejet e sigurt dhe rëndom kënaqte publikun në sallë.