OPINION

Lamtumirë, Profesori im!

Shkruan: Dr. Begzad Baliu, ish- nxënës i gjimnazit në Gjilan

E mora me dhembje lajmin për vdekjen e Profesor të nderuar Vehbi Ferizaj, të gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan!

Megjithëse nuk e pata profesor të ndonjë lënde, Profesor Vehbiun e kam njohur që në ditët e para. I pasionuar pas leximit, sapo filluam mësimet në Gjimnaz shkova ta vizitoj bibliotekën dhe të interesohem për ndonjë vepër. Ajo ishte një bibliotekë modeste dhe shumë më e varfër se ajo që e kishim në Konvikt, ku unë banoja, prandaj kërkova në disa rafte të saj.

Fillimisht ai kërkoi të di për cilat vepra isha i interesuar, por kur i tregova se cilat vepra kisha lexuar, më tha të hyja brenda banakut dhe të shihja vetë cilat vepra më interesonin. I bëri përshtypje ndalesa te disa botime të vjetra (botuar pas Luftës së Dytë Botërore) prandaj u afrua të më shihte librin që po e shikoja. Po e mbaja në dorë një broshurë “Stalini për gjithësinë”. Do të më shtiesh në bela më tha te veshi me zë të vogël por me një buzëqeshje miku, sikur të njiheshim para shumë vitesh.

– Jam nxënës i drejtimit matematikor, – u arsyetova, duke mos e shikuar në sy, – jam lexues i pasionuar i astronomisë, sidomos i revistës “Galaksia” të Beogradit.

Duke ditur se bibliotekat në Kosovë përgjithësisht ishin pastruar nga tekstet nacionaliste, po e shikoja me kureshtje se si Profesori Vehbi e kishte ruajtur bibliotekën pa e “pastruar” nga veprat e Jusuf Gërvallës, nga numrat e revistës “Jeta e re” ku kishte botuar tregimet Adem Demaçi, nga disa vepra të letërsisë kombëtare dhe botërore, të shtypura nga “Naim Frashëri” në Tiranë etj.

Bisedat tona zgjatën përtej një njohjeje miqësore të rastit dhe në fund krahas tri veprave të zgjedhura, mes tyre ma vendosi edhe librin “Stalini për gjithësinë”, duke më tërhequr vërejtjen se “kjo vepër nuk është gjë, por merre ta heqësh merakun”, sepse e di që nuk do t’ia tregosh kujt dhe do të ma kthesh të mos më mbash me merak, sepse je i ri, e nuk ia vlen të pësosh për një vepër pa ndonjë vlerë të rëndësishme”.

E mora dhe ia ktheva pas dy a tri orësh. Kishte 32 faqe dhe e lexova me një frymë. Ishte një kallëzim demitizues për gjithësinë, duke ia veshur Stalinit jo vetëm meritat e shkencës së kohës sovjetike po edhe ato të Darvinit!

U gëzua shumë kur ia ktheva dhe më përkëdheli duke përshkuar gishtat e tij të hajthëm mes kaçurrelave të flokëve të mia! Mbi këtë besim bashkëpunimi ynë nuk u shua për dy vite me rashë në Gjimnaz dhe u rajt gjatë edhe më pas.

Gjatë, tepër gjatë, e kam ndjerë në zemër dorën e vogël e të ngrohtë të tij!

Atë dorë dhe buzëqeshje të ngrohtë, që u shua sot, do ta ndjej gjatë, shumë gjatë…!

Lamtumirë, Profesori im, Vehbi!

Lamtumirë!

Prishtinë, 16 dhjetor 2016

You Might Also Like