Xhelal Hajrullahu, këshilltar komunal
Në seancën e datës 28.06.2018 në Kuvendin Komunal të Gjilanit, e ngrita shqetësimin që kanë 12 punëtorët e larguar nga vendi i tyre punës nga Ndërmarrja Publike Lokale “TREGU” në Komunën tonë, pjesë e së cilës kanë qenë në marrëdhënie pune që nga qershori i vitit 2017.
Po të njëjtit punëtorë edhe më herët ishin larguar edhe nga kompania tjetër publike private “Ecohigjiena” pasi që kompania “Tregu” në atë kohë kishte qenë pjesë e kësaj kompanie.
Arsyen e largimit të puntorëve, Nënkryetari i Komunës së Gjilanit z. Arber Ismajli, për një gazetë ditore e jep në këtë formë: Këta punëtorë nuk janë më pjesë e kompanisë “Tregu” për arsye se kontratat e tyre kanë qenë kontrata mbi vepër dhe vazhdimi i tyre ka qenë në kundërshtim me procedurat ligjore.
Mirëpo, një dokument i lëshuar nga zyra e kryetarit të datës 19 prill 2017, e demanton z. Ismajli, ku ndër të tjera në paragrafin e fundit thuhet kështu:
Ne ju falënderojmë për bashkpunimin e deritanishëm dhe kërkojmë që përfaqësusesit e NPL “Tregu” dhe përfaqësues nga “Eco- Higjiena” në një takim të përbashkët të diskutojnë në lidhje me puntorët të cilët kanë qenë në kuadër të Eco Higjienës të bartën të NPL “Tregu”.
Gjithashtu, të bëhet prerja e inkasimeve nga themelimi i ndërmarrjes sipas vendimit të Qeverisë.
Ky dokument e dëshmon se duhet të bëhet risistemim i këtyre puntorëve pa pasur nevojë të hapet konkurs për ta.