Telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të veteranes së arsimit, Sadije Berisha
Me rastin e ndarjes nga jeta të veteranes së arsimit gjilanas, Sadije Berisha, kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan z. Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes në të cilin thuhet:
E dashura familje Berisha,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të veteranes se arsimit në Gjilan, Sadije Berisha, e cila ishte mësuesja ime e parë.
Mësuesja Sadije do të kujtohet për sa të jetë jeta për kontributin e pamatshëm në arsim, e cila ka edukuar gjenerata të shumta nxënësish ne veçanti në kohën e rëndë të okupimit, të cilët sot janë profesionistë të jashtëzakonshëm të profileve të ndryshme shkencore e profesionale.
Mësuesen Sadije do ta kujtoj personalisht për urtësinë, ngrohtësinë e dashurinë e saj ndaj nesh, të cilën e ka shpërfaqur gjatë gjithë kohës.
Ngushëllime familjes, farefisit e kolegëve me të cilët punoi për disa dekada dhe të gjithë ish-nxënësve të saj.
Lamtumirë, mësuesja Sadije!