Gjilan, 25 qershor 2017 – Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët dhe tre deputetët nga radhët e LDK’së në Gjilan, ka vizituar Këshillin e Bashkësisë Islame, ku është pritur nga kryetari Naim Aliu dhe bashkëpunëtorët.
“E uroj kryetarin Naim Aliu për angazhimin e tij gjatë festës së Fitër Bajramit, në veçanti gjatë muajit të madh të Ramazanit, sikurse edhe të gjithë besimtarët myslimanë. Organizimi i KBI kësaj here ka njohur shtrimin e sofrës për të gjitha kategoritë e komunës së Gjilanit, duke i pasur parasysh rastet e rënda sociale, familjet në nevojë, duke u solidarizuar me misionin e madh të Ramazanit, që përmes sakrificës sonë, urisë dhe agjërimit, ne i përkushtohemi Zotit, familjes dhe skamnorëve”, ka deklaruar Haziri.
Në këtë festë, kryetari Haziri ka zgjedhur ta kumtoj lajmin për përcaktimin e pronës nga ana e Komunës së Gjilanit për ndërtimin e Qendres së re të Bashkësisë Islame, duke u zgjeruar kështu në një hapësirë të re, ndërkaq ka shtuar se së shpejti Komuna do ta caktoj edhe lokacionin e varrezave të reja të qytetit.
Haziri ka falënderuar krerët e Bashkësisë Islame për mbështetjen e iniciativës së dialogut ndërfetar, duke përmendur faktin se
Gjilani është shembull sa i përket tolerancës dhe dialogut ndërfetar dhe tolerancës, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, Kishës Katolike, Kishës Protestante e asaj Ortodokse.
“Gjatë këtyre tri viteve sa përfaqësuesit e konfesioneve fetare e kanë udhëqur dialogun në tavolinë, na kanë bërë krenarë sepse në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, Gjilani është përmendur si shembulli më i mirë i pajtimit dhe dialogut fetar që është organizuar. Falë këtij dialogu, ne bashkarisht e kemi rregulluar edhe rrethojën e varrezave të qytetit me mbështetjen e Komisionit Europian”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën, ndërkaq tha se sot besimtarët kanë gëzim të dyfishtë.
“Përveç festës së Fitër Bajramit, sapo u konfirmua nga kryetari Haziri edhe pëlqimi prej Komunës për dhënien e një prone për ndërtimin e një qendre kulturore, që është shumë e rëndësishme për KBI. Gjithmonë ne kemi pasur bashkëpunim të mirë me Komunën e Gjilanit. I jemi mirënjohës kryetarit Haziri dhe falënderues për këtë mbështetje në shumë aspekte”, tha Aliu.