Futboll

Mbrojtja e Gjilanit si thesi i shqyer

Pas dy barazimeve e një humbjeje SC Gjilani i ka shkuar në konak FC Suharekës, e cila për herë të parë në histori të vet luan në ligën elitare të Kosovës.

Gjilani prej fillimit është dëshmuar si ekip më i mirë dhe që në minutën 14 ia ka dalë të shënojë. Pas një shpërthimi në brendi, portieri i Suharekës dhe mbrojtja u ngatërruan, por disi ia dolën që të dëbojnë topin deri te Jaroviq, i cili me mjeshtri e ktheu topin prapa deri te Rrahmani, i cili mbi trupin e portierit të shtrirë të Suharekës qëlloi në pjesën e epërme të portës.

Nuk ka shkuar shumë kohë dhe si rëndom Gjilani ka pësuar gol edhe atë nga ish-sulmuesi i vet, Mevlan Zeka. Krejt kjo ndodhi në minutën 17, kur pas një harkimi në brendi, Roganovq lejoi topin që të kalojë, duke menduar se atë do ta kap Haxhihamza, por aty afër u përvodh Zeka, i cili e preku topin sa për ta futur në rrjetë.

Pasi ka pësuar, Gjilani sërish ka marrë iniciativën dhe në minutën 34, pas një harkimi të Rrahmanit në brendi, Jaroviq u shkëput dhe shënoi gol me kokë, duke qëlluar këndin e epërm të portës së Suharekës.

Telashet për Gjilanin sërish erdhën pas pak minutash, kur Shabani, në pjesën e fushës që i takon Suharekës, pa kurrfarë nevojë ngriti këmbën lart dhe qëlloi në fytyrë një lojtar të Suharekës, e gjyqtari me të drejtë i tregoi kartonin e verdhë që ishte i dyti për të dhe Gjilani mbeti me dhjetë lojtarë në fushë. Megjithëkëtë Gjilani diti të ruaj rezultatin dhe pjesa parë përfundoi me rezultat 1:2.

Me një lojtarë më shumë në fushë, në pjesën e dytë Suhareka ka shtuar trysninë drejt portës së Gjilanit dhe kur kishte kaluar një orë lojë Gjilani po mbrohej mirë.

Në minutën 80 Suhareka ia ka dalë që të shënojë nëpërmjet mbrojtësit Shqepoviq, pas një harkimi në brendi ishte Arago që intervenoi ngathtë dhe e dërgoi topin deri te mbrojtësi malazez. Ky gol është shikuar edhe nga sistemi VAR, pasi u dyshua se kishte pozitë jashtë loje, por ishte sërish Arago që për disa centimetra kishte ngelur prapa.

Për të qenë edhe më keq, Gjilani ka pësuar edhe në minutën 85, kur pas harkimit të Jakup Berishës, Rexhaj qëlloi me kokë dhe e la të shtangur Haxhihamzën për rezultatin 3:2./kryelajmi.com/.

You Might Also Like