Çfarë (s’)po shikojmë në televizionet tona
Emisionet janë pasqyrë e shoqërisë dhe një lloj mësimdhënësi në vete e po për këtë arsye duhet pasur shumë kujdes se çfarë emisioneve i’u ekspozohemi ne e sidomos fëmijët. Hapat e parë që hedhin fëmijët janë imitim i gjërave që shohin dhe dëgjojnë në vazhdimësi! Përgjatë rritjes ata mësojnë të dallojnë të mirën nga e keqja duke u bazuar nga ajo që i është përcjellë nga të rriturit pasi nuk janë mjaftueshëm të pjekur për të gjykuar vet.
Duke konsideruar se në ditët e sotme fëmijët janë ata që kalojnë më së shumti kohë përballë ekraneve të pa monitoruar, për shkak se prindërit janë gjithmonë e më të ngarkuar dhe përdorin këtë si një mundësi për t’i mbajtur fëmijët në një vend dhe të qetë, paraqet një rrezik të madh! Dëmtimi shikimit nuk është i vetmi problem që vjen si pasojë e saj, problem tjetër janë edhe dëmtimet psikologjike dhe shoqërore si shkak i mos monitorimit nga të rriturit!
Në ditët e sotme gjithë çka i intereson mediave janë klikimet dhe fitimet materiale që marrin nga to. Kështu ata krijojnë emisione që janë në “trend” duke mos marrur parasysh se sa janë etike. Në vendin tonë ka fare pak emisione edukative të mirëfillta që përcjellin mesazhe te publiku që pason në degjenerim dhe ulje të nivelit shoqërorë. Kemi ardhur në një ditë kur të rinjtë në vend që të pasurohen me dituri dhe atribute shoqërore pranojnë fjalor të papastërt dhe “humor” jo të mirëfilltë!
Rinia është e ardhmja e shtetit dhe investimi në ta është primar e duhet filluar qysh në fillimet e zhvillimit të tyre, prandaj kërkohet vetëdijësimi i mediave e njëkohësisht edhe prindërve për kujdes më të shtuar në këtë drejtim!
Autore: Jona Kallaba, Kledia Mehmeti