Futboll

Ndeshja me Dukagjinin moment rikthimi për Dritën

Në prag të ndeshjes së 16-të kampionale, FC DRITA mbajti konferencë për media, ku u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Arbnor Muja.
Trajneri Nuhiu theksoi se kanë punuar me fokus te ndeshja e nesërme dhe të kthejnë mentalitetin fitues.
“Na pret një përballje e vështirë, kemi rrespekt për kundërshtarin e nesërm sepse është treguar kockë e fortë që vështirë thyhen. Është një skuadër kompakte me futbollistë me përvojë, me kundërsulm të shpejtë dhe mbrojtje të mirë. Ne jemi përgatitur në aspektin psikologjik, duke lënë anash humbjen në ndeshjen e kaluar dhe jemi përqendruar në maksimum për t’u kthyer te suksesi. Kemi marrë të gjitha masat, jemi të vetëdijshëm që duhet të kthehemi, kam besim te grupi, ata do të bëjmë maksimumin sepse duhet të dëshmojmë që e kemi kualitet, por edhe mentalitet që lufton deri në fund”, ka thënë Nuhiu.
Ndërsa, futbollisti Arbnor Muja theksoi se humbjet janë pjesë e lojës dhe me bashkëlojtarë duhet të tregohen profesionistë e të japin maksimumin.
“Ne vijmë nga një humbje, por për nesër jemi përgatitur shumë mirë dhe mendoj se nuk ka ndeshje të lehtë në këtë kampionat, por me seriozitet maksimal mund të dalim fitimtar. Pas humbjes duhet të mendojmë dhe veprojmë si profesionist të vërtetë dhe nuk duhet të ketë vend për dëshprim. Humbjet janë pjesë të lojës, ne përgatitemi shumë para cdo ndeshje dhe kemi besim të plotë poashtu kemi besim te stafi i trajnerëve dhe ata tek ne, prandaj besoj që në ndeshjen e nesërme do të kërkojmë dhe marrim maksimumin” ka thënë Muja.
Trajneri Nuhiu u pyet për ndeshjen e kaluar, për cka theksoi se DRITA ka një grup me shumë potencial dhe mund të jap shumë.
“Në ndeshjet derbi krijohen pak raste, ne kishim dy raste të pastërta derisa kundërshtari na ndëshkoi nga një gjysëm rast. Jemi të vetëdijshëm për dëshprimin e tifozëve, si ata edhe ne si staf dhe futbollistët dhe këto ditë kemi punuar të ngrisim moralin e ekipit. Ne mundohemi ta harrojmë, ne e dijmë që është një rrugë me pengesa dhe po në derbi një të tillë nuk arritëm ta kalojmë. Duhet theksuar se kemi një grup të ri dhe e kemi pritur se do të kemi luhatje. Skuadra jonë ka një të ardhme shumë të mirë, me futbollistë cilësorë, prandaj ky grup me kalimin e kohës do të vijë në shprehje shumë më mirë në fazën e dytë të kampionatit”, përfundoi Nuhiu.
Muja foli për mungesën në disa ndeshje, ku edhe konfirmoi lëndimin që i zgjati për më shumë se dy muaj, porse tashmë e ka kaluar atë.
Për ndeshjen FC DRITA – KF Dukagjini te skuadra jonë janë të gatshëm të gjithë futbollistët.
Konferencën e plotë mund ta ndiqni në profilin zyrtar të klubit, https://fb.watch/9zgBe78wYj/

You Might Also Like