Gjilan

Në Gjilan 20 persona me aftësi të kufizuara kanë përfituar vende pune

Njëzet persona me aftësi të kufizuara kanë përfituar vende pune sot në bizneset vendore falë një projekti të Komunës së Gjilanit, e cila do t`i subvencionojë pagat e tyre për një periudhë prej një viti.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se këtyre punëtorëve, pos pagës, do t`u paguhen edhe kontributet pensionale.

“20 persona me aftësi të kufizuara do të angazhohen në bizneset lokale në periudhë kohore prej 1 viti dhe subvencionim mujor në shumë prej 300 euro nga komuna e Gjilanit, si dhe pagesë të kontributeve dhe pensioneve dhe mundësi të rritjes së pagës nga kompania që angazhohet”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ai është shprehur i lumtur për këtë projekt, i cili u bë i mundur edhe falë gatishmërisë së bizneseve për t`iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së Komunës.

“Tejet i lumtur që bizneset lokale iu përgjigjën thirrjes tonë për punësimin e personave me aftësi të kufizuara”.

Për më tepër, kryetari Hyseni ka realizuar edhe vizita në disa nga bizneset prodhuese/përpunuese në komunën e Gjilanit, të cilat kanë shprehur gatishmëri për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si “Bujana Produkt”, “Palma”, “RC Cola” dhe “Albimi”.

Kryetari Hyseni ka thënë se përmes punësimit dhe përvojës, këtyre personave u hapen dyert për mundësi të reja, integrim e pavarësi financiare.

Ai u ka bërë thirrje edhe bizneseve tjera që të bashkohen në këtë nismë, në mënyrë që të krijohen mundësi e kushte për përfshirje sa më të madhe në punësim të këtij komuniteti.

You Might Also Like