Në Gjilan mbahet eventi biznesor ndërsektorial B2B, merr pjesë kryetari Hyseni dhe ministrja Rizvanolli
Gjilan, 20 tetor 2022 – Në Gjilan është mbajtur të enjten eventi biznesor ndërsektorial B2B, në kuadër të projektit “Përkrahja e BE për Konkurrueshmërinë e Sektorit Kosovar të ICT”, i financuar nga BE-ja në Kosovë dhe i realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Komunën e Gjilanit.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e përfaqësues të BE-së, të cilët kanë bashkëbiseduar me bizneset prezente.
Kryetari Hyseni ka thënë se po ndihet mirë me prezencën e shumë bizneseve serioze të Gjilanit, të cilat kanë traditë në fushatë në të cilat operojnë.
“Ideja për mbajtjen e një takimi të tillë ka lindur në Samitin digjital i cili është mbajtur në Prishtinë nga Ministria e Ekonomisë e me përkrahje të BE-së dhe prej disa shembujve që i dimë në Gjilan ku bizneset kanë bashkëpunim të ngushtë me kompanitë e ICT-së dhe është një model i mirë e i suksesshëm se si bizneset mund të zhvillohen edhe më tutje nëpërmjet botës digjitale”, është shprehur kreu i Gjilanit.
Për më tepër, ai tha se ky bashkim i bizneseve do të duhej të shihej si një lloj mundësie që bashkërisht të ofrojmë si Komunë një ambient të mirë për investim e zhvillim të bizneseve ekzistuese, por edhe për hapjen e bizneseve të reja.
“Në këtë takim do të prezantohen edhe mundësitë që të bëhen aplikime për fonde për zhvillim të bizneseve, edhe në platforma ose mundësi të tjera, siç është programi digjital i BE-së Erasmus + etj, ku ndërlidhja e ICT-së me bizneset tjera mund ta lehtësojë bashkëpunimin, por edhe mundësitë që u jepen bizneseve”, ka theksuar kryetari Hyseni.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se është kënaqësi që të shoh për së afërmi zhvillimin e biznesve, qoftë tradicionale si në ndërtimtari, bujqësi, përpunim të drurit etj, sikurse edhe ato të fushës së ICT-së, të cilat ofrojnë shërbime inovative për digjitalizimin e proceseve të ndryshme, qoftë të menaxhimit të ndërmarrjes, marketingut, shitjes e shërbimeve të tjera.
“Digjitalizimi i sektorëve tradicionalë është një nga fushat ku pritet më së shumti rritje të produktivitetit, ku ka shumë hapësirë në zhvillim. Në komunën e Gjilanit për tri vitet e ardhshme kemi paraparë një buxhet prej 550 mijë eurove për pilotimin e qytetit të mençur apo Smart City, së bashku edhe me projekte të tjera siç është studimi i fizibilitetit për ngrohjen qendrore të qytetit, vendosja e paneleve solare në kapacitet prej 65 KW në fabrikën e ujit në Përlepnicë, e projekte tjera potenciale të cilat do të specifikohen së shpejti”, ka thënë ministrja Rizvanolli.
Paraprakisht, kryetari Hyseni ka pritur në takim në zyre ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me të cilën ka diskutuar për disa projekte të rëndësishme.