ARSIMI

Në Gjilan u mbajt debati “Si të rritet cilësia në arsim”

Organizuar nga Grupi i Këshilltarëve në Asamblenë Komunale të Gjilanit dhe nën përkrahjen e Helvetas Swiss Intercooperation– Kosova, në Gjilan, këtë të shtunë është mbajtur debati “Si të rritet cilësia në arsim”, ngjarje kjo që është udhëhequr nga Ismajl Kurteshi, këshilltar komunal e në të cilin kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme që janë të lidhur drejtpërsëdrejti me arsimin, shkruan kryelajmi.com.

Fillimisht  Ismajl Kurteshi fjalën e tij e ka nisur me pyetjen  se si mundet të rritet  cilësia në arsim, aq më tepër që tashti ka numër më të vogël të nxënësve nëpër shkolla. Ai ka thënë se a  duhet të bëhet bashkimi i klasave atje ku numri i nxënësve është shumë i vogël, apo a duhet edhe që të organizohet mësimi tërëditor. Ai ka thënë se në raste të tilla a duhet të ketë asistentë të mësuesve, por edhe a janë tekstet ekzistuese të duhurat apo duhet ndryshuar ato. Kurteshi ka theksuar se në arsimin tonë duhet të zë vend  edhe përkrahja e nxënësve me nevoja të veçanta, zhvillimin e mësimit praktik, pastaj të luftohen dukuritë negative nëpër shkolla dhe jashtë tyre e ai ka ngritur edhe çështje dhe dilemat tjera, duke i ftuar pjesëmarrësit në diskutim.

Yllka Behluli, ka kërkuar investime më të mëdha në arsim, por ka kërkuar që edhe mësimdhënësit të kualifikohen e të trajnohen, pastaj uljen e numrit të nxënësve nëpër klasa,  kushte më të mira në shkolla, rishikim të kurrikulës, por  edhe bashkëpunimin dhe angazhimin e prindërve.

Fatmir Shurdhani, udhëheqës në Handikos ka kërkuar që të krijohen kushte të barabarta të fëmijëve me nevoja të veçanta me nxënësit tjerë, duke kërkuar që ata të kenë qasje më të lehtë në shkolla dhe vlerësim të diturisë sikurse të nxënësve të tjerë.

Nevzad Isufi, mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ka përmendur faktorët kyç që duhet investuar në arsim, duke numëruar aty investimet në arsim, teknologjinë e re, mungesën e shkollave, ngase ende ka shkolla që ende punojnë në tre ndërrime, pastaj bashkëpunimin me prindër, literaturën e duhur dhe strategji të reja në arsim.

“Të gjithë jemi përgjegjës për gjendjen e tashme në arsim, e cila duhet të kontrollohet. Që nga paslufta asnjë nga qeveritë nuk e pati prioritet arsimin, andaj shpesh mësimdhënësit duhet të kërkojnë alternativa të tjera për  të mbijetuar’’, ka thënë Isufi, i cili ndër parregullsitë në arsim ka vlerësuar edhe kopjimet në testin kombëtar e kopjimet nëpër fakultete, sikurse edhe që ka mësimdhënës me probleme shëndetësore e  përkundër kësaj ende punojnë në arsim.

Deputetja Arjeta Rexhepi ka kërkuar që të hartohet një plan i veprimit dhe të koordinohen komunat me qeverinë. Ajo i ka vlerësuar shqetësuese rezultatet e testit PISA, por edhe ka kërkuar që të rishikohen kurikulat dhe tekstet mësimore, sikurse që duhet të angazhohen edhe më shumë koordinatorët e cilësisë dhe  të bëhet  vlerësimi real i nxënësve e të mbikëqyren mësimdhënësit, sikurse edhe organizimin e testeve sipas kurikulave.

Fadil Musliu, drejtor shkolle ka përmendur  disa pika sipas të cilit do të ndikonin në rritjen e cilësisë si hapësira shkollore, përdorimi i teknologjisë, trajnimet e mësimdhënësve, kodet të veçanta buxhetore  për  nxënësit që duhet stimuluar dhe kushte të tjera. Syzana Selimi është angazhuar që të ketë më tepër mjete didaktike tek  parashkollorët e Ejup Uruqi, ish-punëtor i arsimit ka folur për  mësimin dikur kur kishte më shumë vullnet, disponim, sakrificë e patriotizëm, por edhe për disa parregullsi që tashti po e përcjellin arsimin tonë.

Murat Morina, mësimdhënës i matematikës është ndalë në tri tema, shëndetin, vullnetin dhe pushtetin dhe  ka  përmendur shumë dukuri që janë në shkollat tona e të cilat duhet eliminuar për të rritur cilësinë  në arsim. Edhe shumë folës kanë dhënë kontributin e tyre dhe pas këtyre sugjerimeve u vendos që të dalin rekomandimet, të cilat do t’i dërgohen Drejtorisë së Arsimit në Gjilan e të cilat do t’i bëjmë publike në ditët në vijim./kryelajmi.com/.

You Might Also Like