Është përmbyllur mbrëmë Manifestimi Tradicional kulturor e sportive “Flakadani i Karadakut”, me mbrëmjen finale të Festivalit të këngëve dhe valleve burimore shqipe. Për gjatë gjashtë ditëve me radhë, në komunën e Vitisë, janë zhvilluar një varg aktivitetesh kulturore e sportive, që kanë pasur edhe karakter garues. Mbrëmja e tretë dhe finale e Festivalit, është karakterizuar edhe me përzgjedhjen e më të mirëve nga ana e jurisë profesionale e përbërë nga Ervir Dizdari dirigjent, Sami Piraj muzikolog dhe Dilaver Kryeziu koreograf.
Bazuar në vlerësimin që kanë dhënë Juria profesionale, Ansambli i këngëve dhe valleve “Shqiponjat” nga Shkupi, është shpallur fituese e vendit të parë të Festivalit “Flakadani i Karadakut 2018”, në vendin e dytë Ansambli “Tirana” nga Tirana dhe vendi i tretë I ka takuar Ansamblit “Prishtina” nga Prishtina. Ndërkaq, çmimi special iu nda Ansamblit “Bajram Shabani” nga Kumanova.
Juria profesionale ka përzgjedhur edhe orkestrën më të mirë që u përzgjodh Shoqëria Kulturore Artistike “Shote Galica nga Drenasi, për kostumografinë më të mirë Ansambli “Rinia” nga Zvicra, për vallëzim të veçantë Ansambli nga Plava dhe Gucia, kurse solistja më e mire e festivalit u zgjodh Elvira Mazhiqi nga Ansambli “Prishtina”. Përmbylljen
e Manifestimit e bëri kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i cili mes tjerash tha se: “ për gjatë 17 viteve, në këtë skenë, janë promovuar vlerat kombëtare të historisë sonë të lavdishme dhe traditave të kulturës nga vise të ndryshme shqiptare. “Ne si institucione komunale të Vitisë, jemi të zotuar që këto vlera, t’i përkrahim, ndihmojmë, afirmojmë dhe promovojmë, gjithmonë në shërbim të përhapjes së kulturës, si armë e fuqishme, që të ecim dinjitetshëm kah përparimi dhe suksesi i gjithmbarshëm. Meqë jemi në mbrëmjen finale të festivalit, përkatësisht edhe në përmbyllje të aktiviteteve të Manifestimit “Flakadani i Karadakut 2018”, shfrytëzoj nga rasti që të falënderoj gjithë grupet pjesëmarrëse, artistë e sportistë, krijues e poet, solistë e valltarë, që me pjesëmarrjen tuaj nderuat Vitinë, nderuat këto aktivitete të kulturës dhe sportit, por mbi të gjitha, nderuat veprën e dëshmorit të kombit Nijazi Azemi-Komandant ‘”Mjekra”, ka thënë kryetari Haliti.Aziz Zuka