Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” kanë përgatitur shfaqjen e titulluar “Veni, vidi, vici”, duke prezantuar diç të re tek ne, një forum teatri, ku pas performancës së nxënësve-aktorë, publiku i pranishëm në sallë ka patur mundësinë që të kyçet në debat, apo edhe të futet në shfaqje.
Krejt ky organizim ka ndodhur në kuadër të Klubit të Drejtësisë, që udhëhiqet nga kuratorja Besiana Gagica, profesoreshë e historisë, e cila bashkë me nxënësit ka bërë një punë të mrekullueshme edhe atë falë udhëheqjes së shkollës dhe përkrahjes nga USAID-i dhe KEC.
Moderatori shumë i zoti, Drion Shaqiri, në mënyrë mjeshtërore në formë ndërmjetësuesi ka ditur të lidh atë që publiku po shihte në sallë, duke i mundësuar atij që të parashtronte pyetje, të jepte komente, por edhe të ofronte zgjidhje apo edhe sugjerime.
Ndryshe, shfaqja që është luajtur në sallën e Shkollës së Muzikës temë bosht ka patur një kontest gjyqësorë, që kishte të bëjë me trashëgiminë. Në njërën anë paditësit me dëshmitarët e tyre e në anën tjetër pala e paditur edhe ata me dëshmitarët e tyre e në mes tyre trupi gjykues i përbërë nga kryetarja dhe dy ndihmësit e saj që po ndanin drejtësi. Në këtë sallë gjykimi nuk kanë munguar as noteri, procesmbajtësja, psikologu e as organet e rendit dhe pamja të jepte një seancë të vërtetë gjyqësore. Si e tillë shfaqje qet në pah edhe mangësi të sistemit tonë gjyqësor, mbi të gjitha korrupsionin, por edhe dukuri të tjera devijante si falsifikimet e ndryshme, fshehje të provave, paraqitje të rreme të gjendjes shoqërore e shpirtërore e shumë dukuri të tjera që publiku i ka vërejtur shumë mirë.
Ndonëse të rinj në moshë dhe gjithsesi se pa ndonjë përvojë duke qenë vetë pjesëmarrës në seanca gjyqësore, nxënësit-aktorë si është më së miri janë mishëruar me rolet që u janë besuar, që shikuesit ua bënë me dije se janë përgatitur shumë, andaj pas krejt kësaj paraqitje ata janë duartrokitur gjatë nga publiku që kishte mbushur sallën.
Aktivitete si ky janë më së nevojshme, ato rrisin të nxënit në shkollat tona, andaj këta nxënës dhe mentorët e tyre duhet përgëzuar për guximin dhe prezantimin që kanë bërë.