Në Lëvizjen Vetëvendosje! Qendra në Gjilan, sot u mbajtë konferencë për media, ku u fol për besimin e qytetarëve në Lëvizjen, që po rritet cdo ditë e më shumë, gjë që po dëshmohet edhe me numrin e anëtarësimeve të reja. Ndërkaq u kërkua dorëheqja e kryetarit Lutfi Haziri, si pasojë e degradimit dhe telasheve të mëdha që i ka shkaktuar qytetit tonë.
Në këtë konferencë folën ushtruesi i detyrës së kryetarit të Qendrës së LVV-së në Gjilan Nehat Osmani dhe anëtari i kryesisë së Qendrës, Fehmi Sylejmani.
Nehat Osmani tha se të gjithë ata që deri dje ishin në përkrahje të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sot janë të bindur më tepër se asnjëherë se lëvizja VETËVENDOSJE! po ecën drejt, ashtu sikur eci përgjatë gjithë rrugëtimit të saj – edhe pastër.
“Të gjithë ata që deri dje besuan në pastërtinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! besuan para së gjithash në pastërtinë e vet. Duke qenë vetja, ata njëkohshëm ishin edhe VETËVENDOSJA!, prandaj edhe përpjekjet për të njollosur vlerat e pastërta të lëvizjes ishin përpjekje dëshpëruese dhe pjesë e një projekti tashmë të dështuar. Ngase, besimi në Lëvizjen VETËVENDOSJE! si ide dhe Albinin si model politik ishte më i madh se sa orteku i rrokullisur mbrenda organizatës sonë që synonte të lëkund themelet e një lëvizjeje që së shpejti do shndërrohet në themelet e Republikës sonë.
Madje, është e çuditshme se si vetë oponentët e Vetëvendosjes, e parakuptojnë si të pastër e avangarde imazhin e lëvizjes në përpjekjet e vazhdueshme për t’i gjetur e shpikur njolla. Por, lëvizja nuk ka ndryshuar, as në aspektin konceptual, as ideologjik e as të diskursit politik, kanë ndryshuar vetëm disa individ me ambicie personale që tanimë nuk janë pjesë e jona.
Ngado dhe kurdo, në terren, në çdo celulë të organizimit tonë, vërejmë qartazi se vullneti i pashterur i përkrahësve në rritje është më i madh se dëshpërimi i përkohshëm. Ngado dhe kurdo, gadishmëria e përhershme për të shiquar e ecur para është më e madhe se hutia momentale, mbi të gjitha zotimi për angazhim të dyfishtë me ata që sot janë me ne e sidomos me ata që do na bashkangjiten neve, është shumë më i madh se ngecja në dukje të parë, tashmë veq kalimtare.
Por, cila është kundërvënia më e mirë e këtyre hamendësimeve të fabrikuara dhe mirë të sinkronizuara edhe në këtë moment – janë kërkesat e pandalura për anëtarësime të reja të anëtarëve të rinj.
Cilat janë argumentet për të dëshmuar vazhdimësinë dhe lojalitetin e palëkundur ndaj konsistencës shtetërore, kombëtare e zhvillimore – janë dëshira dhe gatishmëria për të ndjekur rrugën e përbashkët të lëvizjes përmes anëtarësimeve të reja.
Përkrahja e shfaqur kohëve të fundit përmes interesimit të shtuar për anëtarësime në lëvizjen tonë është ndjenjë e një freskie mbase të nevojshme, të mbushur me elan, të etur për aksion, për sfida, sidomos për fitore.
Tani me një përvojë më tepër, por të çliruar, të relaksuar ama të vendosur, të hapur dhe kooperative me gjithsecilin prej jush që kanë nevojë ta shohin idenë dhe shpresën, por kuptimplote dhe përmbajtësore.
Prandaj edhe përmes kësaj konference për media i bëjmë thirrje të hapur të gjithë të rinjve, grave e burrave që t’i bashkohen këtij karvani të gjatë të LVV përmes anëtarësimeve të reja në mënyrë që bashkërisht të ndryshojmë vetveten për së mbari, por sidomos të ndryshojmë pushtetin në komunën tonë. Sepse këta të pushtetit mendojnë se Gjilani ka ndryshuar, sepse ATA kanë ndryshuar vetveten duke ndryshuar luksin e tyre dhe duke ndryshuar standardin e familjeve të tyre. Nga pikëpamja e tyre ATA tashmë kanë ndryshuar, por ne kemi nevojë t’I ndryshojmë vet ata në mënyrë që ta ndryshojmë edhe Gjilanin e ta ndryshojmë krejt Kosovën.
Ejani pra me lëvizjen sepse ne ende kemi shumë për të dhënë, kemi ende shumë për të bërë, kemi ende shumë për të kontribuar”, ka thënë në fund Osmani.