Të nderuar aktivistë, anëtarë, zyrtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),
Të dashur qytetarë,
Sot Partia Demokratike e Kosovës shënon 22 vjetorin e themelimit të saj.
Ne jemi krenar për rrugëtimin e subjektit tonë politik, duke filluar nga trashëgimia politike, angazhimi për çlirim, pavarësi dhe shtetndërtim.
Pas një sakrifice dhe angazhimi të madh gjithëpopullor, ideali i shenjtë për liri dhe lufta jonë çlirimtare si projekt u përmbyllën me sukses.
Themelet e kauzës së Partisë Demokratike ishin arritja e lirisë dhe bërja e shtetit tonë demokratik dhe sovran.
Qytetarë nga e gjithë Kosova, patriotë, luftëtarë të lirisë dhe intelektualë, themeluan Partinë Demokratike të Kosovës dhe vazhduan së bashku drejt idealit të përbashkët kombëtar.
Liderët e Partisë Demokratike, bashkë me qytetarët e Kosovës, tash e 22 vite dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, duke filluar nga rruga për pavarësi dhe zhvillim të mirëqenies sociale e deri te forcimi i marrëdhënieve me aleatët tanë.
Gjatë këtij rrugëtimi, PDK-ja ka pasur vështirësi, por kurrë nuk është ndalur, teksa ka korrur shumë suksese sepse misioni, angazhimi dhe vlerat politike të saj janë të përbashkëta me aspiratat e qytetarëve të Kosovës.
Në shënimin e këtij përvjetori, Partia Demokratike e Kosovës është e lënduar, pasi që themeluesit dhe drejtuesit e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, për herë të parë nuk janë në mesin tonë për ta shënuar së bashku këtë datë.
Ata po ballafaqohen me betejën e fundit për dinjitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së pastër për çlirim, por ne jemi të bindur se do të dalin fitimtarë, për t’u kthyer në mesin tonë ashtu siç edhe janë – si heronj.
Ndonëse të lënduar, jemi më të bashkur e më të vendosur se kurrë, që misionin dhe vizionin tonë për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës ta vazhdojmë aty ku duhet dhe si duhet.
Ne krenohemi me të kaluarën tonë dhe me vlerat tona politike në këto 22 vite.
Ne kemi mision zhvillimin, mirëqenien dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe këtë mision do ta arrijmë bashkë sot dhe në të ardhmen.
Urime të gjithëve!
Riad Rashiti