Libri

PËR “DJERSËN E GURIT” TË MUHAMET HALILIT

odise plaku  Shkruan: Odise Plaku

Me shkrimtarin Muhamet Halili jam njohur në takimet poetike të zhvilluara në Kosovë. Letërsia na ka bashkuar. Kemi shkëmbyer edhe libra. Në një tjetër takim Muhameti më pyeti nëse e kisha lexuar vëllimin me tregime “Djersa e gurit”, që më kishte dhuruar në një takim të mëparshëm. U zura ngushtë. Tani nuk më kujtohet çfarë përgjigje i dhashë, por i premtova që do ta lexoja.
Si duket edhe libri për të lexuar kërkon kohën e vet, por edhe gjendjen shpirtërore. E kisha rreshtuar këtë vëllim me tregime në atë pjesë të bibliotekës që ishin në planëzim leximi.
Një libër jo shumë voluminoz dhe besoja që do ta kaloja shpejt. Me tregime të shkurtra dhe diku të njëqind faqe.
Por isha gabuar!
Shpejt e shpejt nuk mund ta lexoja sapo fillova me tregimin e parë “Tehu i sëpatës.”
Makbethian në përshkrim. Tension njerëzor. Një marrëdhënie e trefishtë, personazhi, sëpata dhe mjedisi që e rrethonte. Por më vonë u bënë katër. Dhe ardhësi që kundërmonte era pije. Ndotje e ajrit dhe ndotje e mendjes së poseduesit të sëpatës.
“Jetë qensh!- tha plot pezm dhe shau si burrë, pa e adresuar sharjen.”
Ishte femër zotëruesi i sëpatës. Sharja si burrë tregonte haptazi që durimi i saj kishte sosur.
Një grua çon sëpatën mbi kokën e të shoqit të dehur. Gjithçka qetësohet rreth e qark. Kaq shumë ishte mbushur kupa që gruaja ishte stolisur me një sëpatë në dorë?
Që në mbarim të tregimit të parë e ndjeva që do të lexoja akoma më shumë xhevahire letrare. Dhe e vërteta kështu ishte. Muhameti kishte zgjedhur lëndën jo nga fantazia, por nga realiteti jetësor. Kishte qëmtuar bukur e mirë ato çfarë ishin të dhimbshme, të qenësishme. Kishte përzgjedhur fjalën, stilin e tij të ngjeshur, të vrullshëm për të përcjellë ndjesi. Mesazhe, shumë ka folur ai në tregimet e tij. Njëri më i këndshëm artistikisht se tjetri, por njëri më dallues se tjetri. Të rrëmbenin në të lexuar, por në një lexim të ngadaltë për të thithur qartësisht ato çfarë ai donte të sillte në çdo sy lexuesi. Nuk është e lehtë ta lexosh prozën e tij dhe pse e shkurtër.
Është shumë njerëzor në trajtim të tematikës dhe i veçantë në të shkruar. Edhe unë po përpiqem të përcjell ndjesinë time në mënyrë sa më të thjeshtë, për të mos e komplikuar në analiza të thella, pasi edhe pse do të doja nuk do të arrija.
Në tregimin “Kokëkashta” një marrëdhënie nëne e vajze në një përvjetor. Një ëndërr për një kukull dhe pamundësia e nënës për t’ia bërë dhuratë. Buka mungonte së pari. Kukulla dhe dhurata e çdo lloji do të dukej dhe ishte ëndërr e parealizuar.
“…nëna e shkretë përpara t’i thoshte shpirtit të dilte sesa lotit…”
Por edhe një fëmijë inteligjent që e merr kukullën e saj veç përmes syrit dhe prekjes në atë copë xhami të ftohtë të vitrinës ku qëndronte e ekspozuar.
“Nënë e hoqa mallin…”
Kohë migjeniane që përsëriten dhe nuk dihet deri kur.
Por koha e tillë prodhon dhe gjëra të shëmtuara në këtë realitet modern. Një vend pune shkëmbehet me trup të bukur, vithe e gjoks të bëshëm. Realitet i hidhur dhe i pështirë, por që fatkeqësisht dhe me tronditje të madhe e jetojmë. Cila është vlera e një diploma shkolle, dhe vlera e një diplome e mishit ë bardhë. Një gjendje psikologjike e zbardhur në mënyrë mjeshtërore nga autori. Luftë e brendshme përballë një realiteti për të mbijetuar. A do ta pranonte personazhi i Muhametit një ofertë të tillë?
Cila ishte pesha e arsimimit të saj, përballë peshës së gjoksit të zhvilluar?
Me pak stil autori ruan njerëzillëkun e gruas së bukur, e vendos më mirë në një marrëdhënie me hënën sesa me ministrin, deputetin, drejtorin. Bën një zgjidhje fine. Morali mbetet i tillë. Por në sa realitete morali përtypet e pështyhet si mall pa vlerë?
Jam ndalur në pak tregime për të shkruar këto fjalë, edhe pse e meritojnë të shkruhet për çdo të tillë.
Tregimi “Djersa e gurit” që mban edhe titullin vëllimi nis me një fjali “I lamë një gur te koka”.
Që në çast të ngrihet pyetja: ishte një dëshirë e atij që prehet nën tokë, apo mes të dyve kishte një lidhje?
Në pak rreshta më poshtë mëson një lidhje një marrëdhënie mes babës, gurit, familjes së tij.
Në këtë trekëndësh zhvillohet ngjarje, marrin jetë fjalët e shkruara.
Një familje që përpiqej për mbijetesë përmes nxjerrjes së gurit, një zanat i trashëguar brez pas brezi
“Nxjerrja e gurëve ishte një punë zori”, por përsëri ata “ Me gjithë jetën me halle , ishim familje e lumtur!”
E ngurosur, e bukur, e lartësuar! Edhe në varfëri nëse ke shpirt të pastër mund të kesh të qeshurën.
Në zhvillim të tregimit autorin rrëfehet çiltër për marrëdhënien at e bir. Është ndër më të veçantat, sepse është mbi të gjitha burrërore dhe ka shumë besë e qëndrueshmëri. Nënës dhe ia kthen fjalën, me babën duhet të mendohesh mirë. Ndoshta kjo edhe nga përvoja ime personale.
Dhe autori të tërheq në grackën e tij përshkruese të situatës dhe marrëdhënies së babait me gurin. Aq e tensionuar. Asnjëri nuk do t’i dorëzohet tjetrit. Megjithatë djersa e nxjerr fitimtar. Ajo djersë që rrugëton në portretin e të atit dhe që e ka bërë të ndihet çdo herë krenar.
Humbja e prindit është kurdoherë e dhimbshme, aq më shumë kur ke një raport të tillë, të ngushtë.
Dhe dhimbja përmblidhte në atë psherëtimë “Ah babë, babë..!”
Tematikë interesantë edhe në tregimet apo copëzimet e shkurtra të ndërfutura në brendinë e këtij vëllime. Vajza siriane që Muhameti e vë ne siklet me vështrimin e tij, gjendja me temperaturë të lartë dhe përballja me doktorin apo prishjen e ëndrrës, të tilla materie letrare të shijojnë në lexim të tyre.
Çdo tregim që lexohet përcjell situata, tensione të fuqishme dhe pse përmes tre katër faqeve. Një lëndë shumë e pasur që nëse do të ulej dhe t’i rishkruante sërish do të kishin trajtën e një novele të mrekullueshme. Stili krijues, figuracion të thjeshtë, por të mirëpërdorura, e bëjnë të lexueshëm dhe reflektues vëllimin me tregime të shkrimtarit Muhamet Halili.
Unë e dua tregimin e shkurtër. Më është futur në gjak që në kokën e leximit për herë të parë të shkrimtarit Elin Pelin. Dhe Muhameti po më duket si një vëlla binjak në tematikë dhe përshkrim, në stil të tij.
Në këtë vëllim nuk mund të anashkalohet edhe puna e redaktorit shkrimtarit të mirënjohur Sabit Rrustemi vepër e cila mban siglën e shtëpisë botuese “Beqir Musliu”. Gjuha e pastër dhe jashtë mangësive gramatikore ta shton akoma edhe më shumë dëshirën për të lexuar. Gjuhë e pastër shqipe!

Tiranë,
20 Janar 2017

You Might Also Like