Gjilan, 18 tetor 2018 – Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, gjatë nëntë muajve të këtij viti, ka subvencionuar në forma të ndryshme afro 1555 fermerë nga buxheti komunal.
Drejtori Ramiz Ramadani, në një konferencë për gazetarë, ka thënë se realizimi i këtij plani ka ardhur falë mbështetjes së madhe që është dhënë vazhdimisht nga kryetari Lutfi Haziri.
“Shpresojmë që në vitin e ardhshëm do t’i rrisim subvencionet për bujqit. Projekti për korrje-shirjet ka shkuar jashtëzakonisht mirë, megjithëse pritjet tona kanë qenë për rendimente më të larta, mirëpo reshjet e shiut gjatë muajve gusht dhe korrik kanë bërë që këto rendimente të jenë të nivelit mesatar në kuadër të mesatares së vendit. Gjithashtu, edhe këtë vit kemi subvencionuar mbjelljet vjeshtore me qëllim të përkrahjes së bujqëve në mbjelljet vjeshtore dhe përfitues kanë qenë 847 fermer”, ka thënë Ramadani.
Ai ka bërë të ditur edhe projektin për investimin e rrugëve fushore, që kanë qenë prioritet edhe këtë vit dhe në total janë trajtuar gjithsej 15.88 kilometra gjatësi rrugë fushore, me vlerën investive rreth 70 mijë euro, ku janë përfshirë fshatrat Kmetoc, Dobërçan, Verbicë e Kmetocit, Bresalc, Ponesh, Livoç i Epërm dhe i Ulët, Velekincë.
Drejtori Ramadani ka konfirmuar se të gjithë bletarët e Gjilanit, të cilët kultivojnë më shumë se 30 shoqëri bletësh janë të mbështetur me centrifuga elektrike, duke njoftuar edhe me projektin e madh të mbjelljes së drunjve dekorativ në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Gjilanin.
“Pretendojmë që në këtë aksion me mjetet vetanake Gjilani do të bëjë mbjelljen e mbi një mijë drunjëve dekorativ, kurse me mbështetjen edhe të nivelit qendror do të mbjellim gjithsej 7 mijë drunj dekorativ dhe njëkohësisht do të trajtojmë me projekt edhe Kodrën e Dëshmorëve, ku do të bëhet nivelimi, hapja e rrugëve, gjelbrimi i kësaj hapësire, pastaj do të vazhdohet njëkohësisht edhe me mbjelljet në oborret e shkollave, ambulantat, çerdhet dhe rrugëve kryesore e shesheve”, ka thënë ai.
Kurse, në sektorin e pylltarisë drejtori Ramadani ka konfirmuar se përpos kujdesit të shtuar në ruajtjen e pyjeve nga dëmet ilegale, janë duke punuar edhe dhënien e vendgjuetive “Karadaku”, “Maja e Gjelbër” dhe “Zhegoci”.
Siç ka konfirmuar ai, një punë e madhe dhe bashkëpunim është duke u bërë edhe me donatorët si Komisionin Evropian, USAID-in dhe tjerët, ku do të trajtohet fusha e turizmit, agro-biznesit, pemtarisë etj.