Është bërë përurimi i çerdhes së re në fshatin Miresh të Komunës së Gjilanit, ku të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zyrtarë të tjerë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se është shumë i lumtur që po përurojnë këtë institucion bashkë me ministren Nagavci, ashtu edhe siç e kishin vënë gurthemelin bashkërisht.
“Rëndësia e çerdheve e kopshteve është shumë e madhe. Ky është institucioni i dytë që po e përurojmë në komunën tonë. Dy çerdhe tjera presin të fillojnë së ndërtuari. Po dyfishohet numri i çerdheve dhe kapacitet e tyre, ku nga 4 po bëhen 9”, tha Alban Hyseni.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, uroi fëmijët, edukatorët dhe prindërit për çerdhen e re në Miresh.
Ajo u shpreh e lumtur që po bëjnë përurimin e çerdhes për 60 fëmijë, ku po ashtu është pranuar edhe stafi.
“Kopshti ka kushte moderne dhe me standarde të larta dhe është pajisur me inventar adekuat për fëmijët. Dy vjet pas vënies së gurthemelit tash kjo është bërë realitet”, tha ministrja Nagavci.
Ajo tregoi se krijimi i kushteve të përshtatshme dhe të sigurta për më të vegjlit tanë është prioritet për të gjithë ne, si prindër, si shoqëri dhe si institucione.
Drejtoresha e çerdhes Teuta Selishta, tha se kjo është një ditë gëzimi, pasi po hapin një kapitull të ri për fëmijët të cilët janë kristalet e kësaj shoqërie.
“Jemi bashkë këtu që të ofrojmë edukim cilësor, sepse kjo është pikënisja e formimit të individit që në moshë të hershme”, tha Selishta.
Drejtoresha e çerdhes uroi që fëmijët të marrin edukimin e mirëfilltë e në të ardhmen të aftësohen për jetë e të bëhen sa më produktiv.
Çerdhja ka një sipërfaqe prej 700 metra katrorë, e përshtatshme për 60 fëmijë. Tri dhoma janë për qëndrim të fëmijëve nga 0 deri në 2 vjeç, dy dhoma për fëmijë nga 3 deri në 4 vjeç, një sallë për kujdestarë, administratë, kuzhinë, si dhe hapësira teknike.
Çerdhja në Miresh ka kushtuar rreth 309 mijë euro.