Me një ceremoni solemne dhe të veçantë akademike, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan i akordoi sot titullin më të lartë nderi,” Doctor Honoris Causa”, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij z. Bajram Begaj.
Ceremonia u mbajt në universitet ku mblodhi personalitete të larta nga Kosova dhe Shqipëria, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, ambasadorë, akademikë, si dhe profesorë e studentë të UKZ-së.
Fillimisht, Presidenti Begaj u prit në mënyrë solemne nga Rektori Dërmaku dhe stafi i tij. Ai u shoqërua në ambientet e Rektoratit, ku u nënshkrua në Librin Amë të Universitetit, një akt simbolik që i parapriu ceremonisë zyrtare të nderimit.
Në hapje të ceremonisë, pas intonimit të Himnit të Kosovës dhe Himnit Kombëtar, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, theksoi rëndësinë që ky titull përfaqëson për institucionin dhe shoqërinë.
“Sot, në këtë ceremoni solemne, Universitetin Publik “Kadri Zeka” ka nderin e veçantë që t’i ndajë titullin “Doctor Honoris Causa” Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Ky nuk është vetëm një titull formal, ky është një akt mirënjohjeje, respekti dhe falënderimi për një jetë në shërbim të kombit, të dijes dhe të humanizmit. Si Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe si President i Republikës, keni qenë zëri i qetë, por i vendosur, i kombit tonë. Në momentet më të errëta për Kosovën, kur kishte nevojë për dorën e vëllait, ju ishit aty, jo për lavdi, por për përkushtim, jo për pozicion, por për mision,” ka thënë Rektori Dërmaku në fjalën e tij.
Po ashtu, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, në fjalën e tij ka thënë se populli i Kosovës nuk harron, qytetarët e thjeshtë të Gjilanit ju kujtojnë me zemër, sepse ju ishit aty kur kishte më së shumti nevojë, por edhe në paqe angazhimi juaj ka qenë i vazhdueshëm.
“Ju ishit përkrahës i pavarësisë, i të drejtave tona, i arsimit dhe i zhvillimit institucional. Ju i dhatë Kosovës zë në diplomacinë shqiptare dhe forcë në skenën ndërkombëtare. Sot, ju jeni në vendin tuaj, në Gjilan, në shtëpinë tuaj, në mesin e vëllezërve që i dolët në ndihmë në kohët më të vështira. Në këtë Universitet që mban emrin e heroit Kadri Zeka, ju mirëpresim në tempullin tonë të dijes dhe kujtesës historike. Përmes këtij titulli, ne nderojmë një njeri që mishëron virtytet më të larta të një udhëheqësi modern, njeri të dijes, karakterit dhe përulësisë”, ka thënë Rektori Dëmaku.
Ndër tjerash Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka thënë se, le të jetë ky moment një mesazh për studentët tanë:
Po, ia vlen të studiosh. Po, ia vlen të shërbesh. Po, ia vlen të jesh i ndershëm, i përkushtuar dhe njerëzor.
Nndërsa në fjalën e saj Ministrja e Arsimit Shkencës teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci tha se nderimi që sot i bëhet Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, nga një institucion i rëndësishëm arsimor si Universiteti Publik “Kadri Zeka”, është një dëshmi e fuqisë që ka arsimi për të ndërtuar ura bashkëpunimi, respekti dhe uniteti kombëtar.
“Është nder i veçantë për Republikën e Kosovës që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, po nderohet sot me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan. Ky akt simbolizon jo vetëm respektin për një personalitet të shquar të kombit tonë,