Shkruan: Ismajl Kurteshi, deputet
Që kur është përmendur ideja e matjes së territorit të Kosovës, me qëllim të përcaktimit të vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi ka qen e qartë se krejt kjo është farsë që ka për qëllim nxjerrjen e Qeverisë nga bataku në të cilin ka ra, e që duke u përpjekur të nxirret po fundoset e tëra.
Megjithatë nëse dikush ju ka besuar manovrave të kësaj Qeverie, hamendjet në lidhje me qëllimet e kësaj iniciative i ka hequr vet Këshilltari i Kryeministrit Bajram Gecaj me deklaratën e tij për”Zërin”e datës 7 shkurt, kur thotë se: “Matja e territorit bëhet nga komisioni i ekspertëve … Megjithatë, shpresojmë që kjo të mos zgjat shumë, pasi që është shumë e rëndësishme që demarkacioni të kaloj gjatë këtij muaji”. “…Qeveria do të bëjë çmos që kjo të ndodhë gjatë muajit shkurt…”
Kështu flasin vetëm ata që e kanë porositur dhe paraprakisht e dinë rezultatin e “matjes” së territorit. Qeveria e Kosovës e dinë rezultatin e “matjes” së territorit, para se të publikohen rezultatet e Komisionit, sepse rezultatet janë të porositura. Duhet të “matet” sipërfaqja dhe nga kjo matje ta nxjerr sipërfaqen që po i duhet Qeverisë, madje “matja” duhet të përfundoj në muajin shkurt. Qeveria po përpiqet me e matë territorin e vendit edhe pse kufiri me Serbinë nuk është i definuar dhe kjo e pamundëson matjen që Qeverisë po i duhet me e ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi.
Se rezultatet janë të porositura dëshmon edhe deklarata e anëtarit të Komisionit për “matjen e territorit” profesori i Fakultetit të Shkencave Matematikore – Natyrore, Fitim Humolli, i cili ka deklaruar se” …komisioni thirret në profesionalizëm, por s’ka profesionalizëm aty. Besoj që komisioni do ta kryen punën shpejt, sepse ata e kanë krye punën më përpara” Profesor Humolli thotë se nuk pret rezultate profesionale sepse, sipas tij, e tërë puna është krye në mënyrë të gabueshme.
Kjo Qeveri që po merret qe dy vjet me demarkacionin dhe “Zajednicën”, si që u morr së fundi disa muaj me murin përtej Urës së Ibrit e që më në fund, pas pajtimit të Beogradit zyrtar, ai mur ilegal u rrënua për t’u legalizuar muri i ri dhe për ta paraqitur Serbinë si bashkëpunuese dhe kështu t’i hapet asaj rruga për
integrime evropiane. Përveç legalizimit të murit të ri, rrënimi i murit të par do të shërbej edhe si alibi para qytetarëve të Kosovës, për koncesionet e radhës të Qeverisë së Kosovës, që i bëri në Bruksel, që do të ndodhin në një të ardhme të afërt, për murin që e zhvendosi për disa metra, e që në të vërtet u legalizue.
Në këtë pazar ka hy sipas të gjitha gjasave edhe “Zajednica” e cila po përmendet shpesh kohëve të fundit.
Se sa joserioze është kjo Qeveri mund të shihet përveç, përmes deklaratave të Kryeministrit Mustafa si ajo për murin në veri, se nuk ka negociuar me Serbin, e që për këtë deklaratë e demantoj znj. Mogerini, edhe nga deklaratat e Ministres Edita Tahiri dhe Zëvendës ministrit Bajram Geci në lidhje me “Zajednicën” , derisa Edita Tahiri thotë se pa shuarjen e strukturave paralele nuk do të ketë asociacion të komunave serbe, Bajram Geci, thotë se asociacioni nuk do të ndodh pa kthimin e ministrave dhe deputetëve serb në institucionet e Kosovës. Si ka mundësi t’i besohet kësaj Qeverie që ka shumë “të vërteta”?