Gjilan, 4 janar 2018 Distancimi verbal i komunës lidhur me incidentin e sotëm, kërcënimin e njërit prej drejtorëve komunal të Gjilanit ndaj gazetarit të “Rajonipress”, z. Musa Sabedini, ndonëse shihet si një satisfaksion, është i pamjaftueshëm dhe nuk duhet të jetë kjo fjala e fundit ndaj keqpërdoruesve dhe kërcënuesve të medias së lirë. Një akt i tillë për ne është i papranueshëm dhe shqetësues, ngase paraqet shkelje serioze të transprencës mbi informimin publik, si obligim dhe detyrim ligjor i komunës. Prandaj, Dega e PDK-së në Gjilan, vehet fuqishëm në mbrojtje të fjalës së lirë, të medias së lirë, si fundament i demokracisë së saj, të cilën edhe qeveria komunale është e obliguar ta respektojë, e jo të pengojë, kryerjen e detyrës publike të medias për ta informuar publikun, drejt dhe shpejt, siç ishte rasti i djeshëm i kërcënimit ndaj gazetarit të «Rajonipress”, z. Musa Sabedini. Është ky edhe një rast, i cili do të duhej seriozisht t’ia tërheq vëmendjen kryetarit të Gjilanit, z. Lutfi Haziri, për nivelin e ulët të disiplinës në qeverisjen e tij, përveç abuzimeve tjera serike me pushtetin, e që po vazhdon edhe në këtë mandat.
Shefik Surdulli /Në emër të zyres për informim të PDK dega në Gjilan, dhe në cilësinë e këshilltarit komunal/